Vështrime

Doracaku i pazakonshëm politik i eurozonës

Që prej 2008-s, eurozona është përballur me krizë financiare, me krizë të borxhit sovran dhe me krizë të shëndetit publik. Tani, teksa çmimet e energjisë janë në rritje, ajo duhet që të përgatitet për sprovën e radhës: Për goditjen e pafavorshme dhe thellësisht asimetrike të furnizimit

Gjendja ekonomike në Evropë është përnjëmend shqetësuese. Inflacioni vjetor në eurozonë ka arritur nivelin rekord të lartë prej 7.4 për qind, por megjithëkëtë bankat ende po u japin hua njëra-tjetrës me norma negative interesi. Në prill, inflacioni prej viti në vit në Estoni ishte për një fije flokë më e ulët se 20 për qind, porse vetëm 5.4 për qind në Maltë. Borxhi publik krahasuar me një hise të bruto prodhimit të brendshëm është në nivele të pashembullta, e megjithëkëtë normat e obligacioneve gjermane mbesin dukshëm nën mesataren e tyre afatgjate përderisa diferencat, ani se në ngritje, janë ende të frenuara. Në të gjithë kontinentin, indikatorët kryesorë ekonomikë po përçojnë mesazhe të ngatërruara.

Qeveritë dhe bankat qendrore janë zënë të papërgatitura nga transicioni i papritur prej kapërcimit nga një mjedis i deflacionit në atë inflacionist. Të njëjtët politikëbërës që në shtator paralajmëruan se deflacioni ishte të paktën po aq kërcënues sa inflacioni, tani pohojnë se kemi hyrë në një epokë të inflacionit strukturor.