Vështrime

Një qytet me shumë emra

1.

Mbi Lembergun ukrainas, Joseph Rothin dhe një botë që ka perënduar

1.

Joseph Roth u lind më 1894 në Brodi, një qytet sot ukrainas afër Lembergut (ose Lvivit), edhe ky qytet ukrainas, emrin e të cilit shpesh e lexojmë në lajme prejse Rusia e diktatorit Vlladimir Putin më 24 shkurt nisi sulmet barbare kundër Ukrainës. Roth është njëri prej autorëve më të rëndësishëm të gjuhës gjermane të shekullit 20. Në romanet e tij si “Marshi i Radeckit”, Roth shkroi me nostalgji mbi Perandorinë Austro-Hungareze. Roth bëri emër edhe si publicist, sidomos me reportazhe. Më 1927 ai udhëtoi në Shqipërinë e sunduar nga Ahmet Zogu. Me kërshëri të madhe përshkroi Shqipërinë e atëhershme postosmane, takoi Ahmet Zogun, i cili iu duk “jo më i keq se çdo diktator tjetër oriental”. Shënimet e tij janë botuar edhe në shqip, në librin “Udhëtim nëpër Shqipëri më 1927”. Si i dukej Tirana Joseph Rothit? Djathtas një xhami, majtas një kafehane, xhamia i ngjante kazermës, ushtarët me pushkë ruajnë veten e tyre, hotelet janë plot, gazetarët kanë ardhur me nxitim, diplomatë dhe deputetë, oficerë nga Anglia dhe Italia, është mbledhur parlamenti, Tirana është një gropë sensacionesh, ndërsa mbarë vendi një mollë sherri.