Vështrime

Kthimi i çmimeve të larta të naftës në fitore për amvisëritë amerikane

Për 40 vjet, nga viti 1975 deri në vitin 2015, SHBA-ja ndaloi krejt eksportet e naftës. Kjo me sa duket u konsiderua kushtetuese, edhe pse ndalimi i eksporteve është si të vendosësh një taksë eksporti me një normë pafundësie. Por thjesht, rivendosja e ndalimit të eksportit mund të bëjë që fitimet e kompanive amerikane të naftës të bien nën nivelet e paraluftës

Shtetet e Bashkuara eksportojnë më shumë naftë sesa importojnë. Si rezultat, vendi në tërësi përfiton nga rritja e fundit e çmimeve globale të naftës. Mirëpo amvisëritë amerikane mendojnë se janë dëmtuar nga çmimet më të larta, sepse të gjitha përfitimet kanë shkuar për kompanitë amerikane të naftës dhe për aksionarët e tyre. Asnjë përpjekje nuk është bërë për të shpërndarë ndonjë pjesë të të ardhurave për familjet amerikane, ani pse çmimet më të larta të energjisë sot janë kryesisht rezultat i veprimit të udhëhequr nga Qeveria amerikane - sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të Ukrainës.

SHBA-ja nuk po përballet as me mungesë të prodhimit të naftës dhe as me ngritje të papritur të kërkesës. Në vend të kësaj, rritja e çmimeve të energjisë që nga fundi i shkurtit ka përkuar me rritjen masive të eksporteve të naftës në SHBA. Llogaritur nga të dhënat e Qeverisë amerikane, eksportet neto të naftës në SHBA në maj të vitit 2022 arritën në 3.9 milionë fuçi në ditë, që përfaqëson rritje të madhe prej 45 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave nga dollari amerikan është edhe më e madhe duke pasur parasysh rritjen prej 76 për qind të çmimeve në të njëjtën periudhë.