Vështrime

Nisja e Revolucionit të gjelbër të hidrogjenit

Bota është qartë në një udhëkryq. Ne mund të mbetemi të mbyllur në një të ardhme të kushtueshme e ndotëse, që është jashtëzakonisht joefikase dhe që fuqizon vetëm një pjesë të vogël të vendeve të pasura me lëndë djegëse fosile. Ose ne mund të zgjedhim një revolucion të gjelbër të energjisë, me kosto të ulët, për gjithçka që e mban të ardhmen tonë të sigurt nga ndotja, ngrohja globale dhe diktatorët

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu po krijon përçarje të rrezikshme dhe të përhapur mjedisore, si dhe po ndikon në jetën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), bota do të përballet me rreziqe të pashmangshme klimatike gjatë dy dekadave të ardhshme. Por, me emetimet mesatare vjetore globale të gazrave serë, që kanë arritur nivelet e tyre më të larta në historinë njerëzore midis vitit 2010 dhe vitit 2019, ne thjesht nuk po bëjmë mjaftueshëm për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius.

Raporti i IPCC-së, i publikuar në muajin prill, rekomandoi që bota të reduktojë me shpejtësi ofertën dhe kërkesën për lëndë djegëse fosile nga tani deri në vitin 2050: me 95% në rastin e qymyrit, 60% për naftën dhe 45% për gazin natyror. Por, si mund të arrijmë objektiva kaq ambicioze?