Vështrime

Rasti ekonomik për garantimin e sigurisë së Ukrainës

Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe luftës që pasoi në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, eksportet e Ukrainës drejt Rusisë u dobësuan. Ukraina nuk ishte në gjendje t’i shiste këto mallra industriale të avancuara diku tjetër, sepse këto produkte duhet të jenë të përshtatura për klientin, gjë që kërkon kontrata afatgjata, transferim teknologjie dhe zinxhirë të qëndrueshëm vlerash që mbështeten në kuadër të integrimit të thellë dhe të qëndrueshëm, si ai i ofruar nga Bashkimi Evropian.

Konflikti në Ukrainë po zgjatet përgjakshëm, por nuk është shumë herët për të filluar planifikimin për rimëkëmbjen e vendit pas luftës. Kjo është e rëndësishme jo vetëm pse planifikimi kërkon kohë, por edhe sepse informon se çfarë lloj paqeje do të kërkohet për t’i dhënë Ukrainës rrugën drejt mirëqenies.

Disa mendojnë se Rusia nuk do ta pranojë kurrë zgjidhjen, në të cilën Ukraina është diçka tjetër pos tampon-shtet. Mirëpo, rezultati i tillë do të sillte kosto gjigante ekonomike, që do ta mallkonin Ukrainën me të ardhme të mjerueshme. Tek e fundit, tampon-shteti është pikërisht ajo që Ukraina po ndiqte pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Rezultatet ishin katastrofike, duke shkaktuar Revolucionin Portokalli të 2004-tës dhe Revolucionin Maidan një dekadë më vonë.