Vështrime

Shqipëria e Qemal Lames ose triumfi i një torturuesi ndaj viktimave

Kjo Shqipëri është e Qemal Lames, kryehetues i kohës komuniste mes 1982-1992. Ai mund të përqesh viktimat dhe të flasë në televizion siç flisnin nazistët dikur, duke thënë se vetëm “kanë zbatuar ligjin”. Si dukej “zbatimi i ligjit” në Shqipërinë komuniste? Për shembull kështu: duke ua djegur cigaren në trup të burgosurve, duke i rrahur me lopatë e ushtruar dhunë psikologjike që kulmonte me dënimin me vdekje.

Një televizion në Shqipëri ka emituar një intervistë me një person të quajtur Qemal Lame. Mes viteve 1982-1992, për 10 vite me radhë, ai ka qenë kryehetues i Shqipërisë komuniste. Me fjalë të tjera: ka qenë zyrtari që dyshohet si fajtor për shumë krime ndaj kritikëve të regjimit. Pas rënies së komunizmit, Qemal Lame pa therë në këmbë ka emigruar në Gjermani. Jeton atje qe 30 vjet. Në vitin 2022 ai ndihet aq i sigurt dhe shfaqet në televizion, ku i shtrohet qilimi i kuq për të treguar versionin e tij të historisë. Është një intervistë makabre. Lame nuk shpreh keqardhje të sinqertë për krimet e pushtetarëve komunistë. Në ingranazhin e sistemit ai ka qenë një rrotë e rëndësishme. Me persona të tillë regjimi e ka mbajtur në këmbë mekanizmin e torturimit të qytetarëve të Shqipërisë.

Në intervistën e tij Qemal Lame jo që nuk u pendua, por u përpoq ta prezantojë veten si zyrtar që paskësh kryer detyrën “me përgjegjësi të lartë morale dhe qytetare” dhe se vetëm paskësh “zbatuar ligjin”. Pothuaj çdo zyrtar nazist i arrestuar në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, kur ka dalë para drejtësisë, ka folur si Qemal Lame. Edhe nazistët arsyetoheshin se kanë zbatuar ligjin dhe urdhrat e Adolf Hitlerit. Ligji është ligj, zakoni zakon. Kështu shfajësoheshin xhelatët e nazizmit. Ngjashëm shfajësohet Qemal Lame. Por për dallim nga nazistët, shumica e të cilëve kanë marrë dënimet e merituara, Lame është njeri i lirë në një shtet të lirë – në Gjermani. Ai me gjasë nuk ka aspak frikë se do të ndiqet nga drejtësia e Shqipërisë. Dhe ka të drejtë nëse nuk frikësohet. Siç kanë shpëtuar mijëra xhelatë të regjimit komunist, edhe Qemal Lame nuk duhet të shqetësohet. Përkundër akuzave serioze kundër tij.