Vështrime

Shuplakë politikës nga “Sunny Hilli”

Zhurmës politike e debatit paraprak që devijoi në ofendime, fyerje a akuza për mashtrime, një shuplakë të mirë ia ka dhënë promovimi që festivali “Sunny Hill” ia bëri Kosovës. Dua Lipa, si nismëtare e festivalit, u shpall ambasadore nderi, e festivali në ditën e fundit u vlerësua si i dobishëm ekonomikisht e politikisht për vendin. Tek pasi mori vëmendjen botërore. Të tjerat, i takojnë prapaskenës

Krahas yjeve botërorë që solli dhe grumbullimit të më shumë se 20 e sa mijë të rinjve në secilën natë, “Sunny Hill” ia dha një tjetër dimension ndikimit të vet. “Set me free” (Lërmë të lirë), ishte thirrja që pati për moto edicioni i tretë, duke kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe pse janë organet politike ato që vendosin, deri tash Evropa s’ka treguar se është e bindur që Kosova meriton lëvizje të lirë, ndonëse i ka përmbushur kriteret.

Thirrja e thjeshtë e festivalit përçon mesazh të fuqishëm. Organizimi pa asnjë incident i festivalit për katër net, tregoi se në Kosovë mund dhe do të organizohen ngjarje ndërkombëtare si në Perëndim. Ndoshta Evropa nuk ndikohet nga thirrja e një festivali, por audienca është më e gjerë dhe padyshim që çështja e thirrjes kundër izolimit prek sfera të shumta. Miliona njerëz kanë dëgjuar për herë të parë për Kosovën. E një pjesë e tyre ndoshta synon ta vizitojë në edicionet e ardhshme. Të paktën, numri në rritje nga edicioni në edicion po e jep këtë sinjal.