Të dhimbshme janë bërë shumë deklarime, komente dhe vlerësime që po shohim dhe dëgjojmë ka disa ditë nga akterë politikë jo të paktë, nga shumë të ashtuquajtur analistë dhe përfaqësues të jetës sociale në Kosovë, për luftën dhe kinse rrezikun nga largimi i investitorëve potencialë nga Kosova, si pasojë nga apostrofimi i rrezikut real dhe kërcënimet e tejdukshme serbe për një luftë të re të mundshme serbo-shqiptare nga kreu i ekzekutivit të vendit.
Të sqarojmë që në fillim të këtij teksti, askush në këtë botë nuk e do luftën. Nuk e duan as shqiptarët, të cilët paqedashjen si popull e kanë dëshmuar me shekuj. Prandaj, aspak nuk arrij dot t’i kuptoj sidomos liderët aktualë të opozitës, sikundër që nuk e kam shumë të qartë pse shumë komentues e analistë, duke shfrytëzuar mikrofonat e televizioneve kosovare, ndër ta edhe të televizionit të vetëm publik të vendit, po i japin aq shumë publicitet çështjes së investimeve (edhe atyre kapitale edhe të jashtme), e që ka qenë edhe kompetencë edhe detyrë e të të gjitha qeverive në dy dekadat e fundit.
Pra, tash e më se 20 vjet, ku mbetën investitorët potencialë?! Ku janë ata, që sot po na ikin për shkakun se kryeministri paska deklaruar se po rrezikohemi nga lufta?! Ku janë këta investitorë, që liderët opozitarë dhe të ashtuquajturit analistë po i imagjinojnë tani? Kur të akuzosh, duhet ta kesh domosdo një fakt për ta mbështetur atë. E fakt i pamohueshëm është se përgjatë këtyre 20 e sa vjetësh, kur Kosovën e kanë qeverisur pareshtur partitë tani opozitare, investitorët thjesht u dëbuan nga Kosova për shkak të korrupsionit, tendencave zhvatëse të përfaqësuesve të pushtetit, shantazheve, sistemit të politizuar të drejtësisë, e shumë e shumë veprimeve irrituese, keqbërëse dhe me ndikim dëbues deri në pafundësi karshi investitorëve dhe investimeve të mundshme.
Gjatë dy dekadash u krijuan qëllimshëm ose pavetëdijshëm analfabetë funksionalë dhe sekserë për zhvatje, edhe të investitorëve. Sekserë që i prisnin investitorët në aeroport me kërkesa si parakushte të domosdoshme për investimet e paralajmëruara dhe kështu, akoma pa mbërritur në Prishtinë t’i kthejnë andej kah kishin ardhur. Që në nismë të shprehjes së interesimit nga ana e investitorëve potencialë, u kërkohej hise. Jo vetëm kaq. Kosovarët janë dëshmitarë të degradimit ekonomik e politik të funksionimit normal të shtetit pas lirisë së fituar me gjak. Për 20 vjet ngarendi pushteti “të investojë” në emër të paqes dhe të stabilitetit, dhe asnjë herë dhe në asnjë rast në emër të zhvillimit. “Ekonomistë e njohës të zhvillimeve ekonomike” që kurrë në jetën e tyre as kiosk s’kanë pasur, e lëre më ndonjë punë të efektshme, ose diçka që puna e tyre të ketë pasur ndonjë impakt në zhvillimin e Kosovës, apo të kenë lënë ndonjë gjurmë të ndonjë vlere për këtë vend, vendosën “prenë dhe qepën” fatin e zhvillimit të Kosovës. Natyrisht, edhe fatin e investimeve të deritashme. Këta, pra janë njerëzit që i larguan investitorët dhe që po vazhdojnë t’i dëbojnë. Dështuesit dhe të gjithë ata që i huqën tërësisht vizionet zhvillimore dhe synimet investuese dihen. Nuk është kryeministri, i cili po flet për një rrezik të mundshëm sado të dhimbshëm, trishtues e tronditëse. Tashmë “paqeruajtësit” e zgjuar nga gjumi, ata pra që nuk shohin asnjë rrezik nga lufta e re e mundshme dhe pretendimet e shpërfaqjen e re të aspiratave të Serbisë për këtë luftë, sikur kanë harruar kë e kemi në kufi! Sikur i kanë harruar, madje fare shpejt se çfarë aspiratash ka fqinji ynë verior! Sikur kanë harruar që çdo dite të lume Serbia e mendon dhe e pretendon pushtimin e Kosovës. E kanë harruar edhe faktin se Kosova ende figuron në preambulën e Kushtetutës së saj. Sipas ‘paqeruajtësve” të zgjuar së voni, ne qenkemi ata që po e cenojmë paqen dhe stabilitetin në rajon. Apo, ne jemi ata që po japim sinjale lufte në botë dhe po ndjellim frikë tek investitorët? Sipas tyre, rreziku nuk qenka tek ushtria serbe e instaluar këto ditë vetëm dhjetëra metra larg kufirit me Kosovën?
300.000 (treqind mijë) lëndë të pazgjidhura gjenden akoma në gjykatat e Kosovës, që i bie që çdo 5-6 banorë i Kosovës ka një rast të pazgjidhur në vend. Më shumë kemi të burgosur për dhunë në familje, sesa për krim dhe korrupsion. Këto janë shkaqet reale që i kanë mbajtur investitorët larg Kosovës.
Nuk jam nga dashamirët që e kaluara të jetë modeli ose arsyetimi për çdo dështim të kësaj qeverie, por nuk mund t’i anashkaloj faktet dhe të shprehëm sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për herë të parë kemi një qeveri, që po bën përpjekje, të paktën, që të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Opozita do të ishte mirë të reflektonte dhe t’i bashkëngjitej qeverisë në këtë maratonë pa finish 20-vjeçar dhe së paku t’i dihet fundi. Kjo qeveri ka shumë defekte dhe opozita do të ishte më mirë të shikonte dhe të bëhej gardian i premtimeve që kjo qeveri ka dhënë, e jo t’i gjykojë veprimet që në fakt kurrë nuk është marrë me to.
Në mbledhjen e ministrave të Punëve të Brendshme të BE-se, të mbajtur në Vjenë, një javë para invazionit rus në Ukrainë, doli deklarata më pak a shumë këtë përmbajtje: “nuk është aq e çmendur Rusia ta pushtojë Ukrainën dhe luftë nuk e besojmë që do të ketë”. Ndër ata që foli në Kosovë për mundësinë e shpërthimit të luftës atje, ishte ministri i Brendshëm, me të cilin u tallën “njohësit e gjeopolitikës”: “Cveklla paralajmëron Evropën për luftë’’; ”Sveçla ndjell frikë në BE për invazionin të mundshëm rus në Ukrainë” e të ngjashme. Një javë më vonë ajo ndodhi. Dhe po, unë druaj që mund të na ndodhë edhe neve nëse nuk e parandalojmë!
Lexova shumë statuse nga politikanë të opozitës ku dominojnë mendimet “nuk na sulmon Serbia, sepse e kemi NATO-n këtu”. ”Nuk futet Serbia në luftë me NATO-n”, “Vetëm në kokën e Albinit, lufta dhe krijimi i pasigurisë janë metoda të qeverisjes”. Por, në këto statuse sikur po harrohet se edhe Amerika ishte në Afganistan dhe trupat u tërhoqën. Në këtë kontekst nuk duhet harruar deklarata e presidentit Biden, “nuk mund të mbrojmë një popull, në qoftë se ai nuk është i gatshëm ta mbrojë vetveten”. E ajo që kryeministri i Kosovës po thotë është: luftën nuk e duam, por duhet të jemi të gatshëm edhe për këtë opsion.
Për fund, nuk duhet të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë, sepse jo vetëm që do ta amnistojmë Serbinë dhe krimet e saj, por do t’i japim mundësinë dhe do t’i ushqejmë aspiratat e saj për një nisje lufte të mundshme ndaj Kosovës.
Nuk jam për përkrahje me symbyllur dhe secili nga ne e ka obligim të reagojë për çdo punë ose premtim të dhënë nga kjo qeveri. Fatkeqësisht e kaluara e opozitës së sotme e ka lënë këtë qeveri pa opozitë.
Një fjalë e urtë thotë: Ajo që imagjinoni, është ajo që do të ndodhë. Ajo që besoni është ajo që do të arrini!
* Ky vështrim nuk përfaqëson qëndrimet e redaksisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.