Vështrime

Koha që t’i hedhim në erë tregjet e energjisë elektrike

Është koha për të mbyllur tregjet e simuluara të energjisë elektrike. Ajo që na nevojitet, në vend të kësaj, janë rrjetet publike të energjisë në të cilat çmimet e energjisë elektrike përfaqësojnë kosto mesatare, plus një rritje të vogël. Ne kemi nevojë për një taksë karboni, të ardhurat e së cilës duhet të kompensojnë qytetarët më të varfër. Ne kemi nevojë për një investim në shkallë të gjerë si Projekti Manhattan në teknologjitë e gjelbra të së ardhmes (si hidrogjeni i gjelbër dhe fermat e erës lundruese në shkallë të gjerë në det të hapur). Dhe, së fundi, ne kemi nevojë për rrjete lokale në pronësi komunale të burimeve të rinovueshme ekzistuese (solare, erë dhe bateri) që i kthejnë komunitetet në pronarë, menaxherë dhe përfitues të energjisë që u nevojitet

Flatrat e turbinave të erës në malin përballë dritares sime po rrotullohen fort sot. Stuhia e mbrëmshme ka kaluar, por erërat e fuqishme po vazhdojnë, duke kontribuar me kilovatë shtesë energjie në rrjet pa asnjë cent (ose me çmim margjinal, thënë me gjuhën ekonomike). Por njerëzit që po kanë telashe të mbulojnë shpenzimet elementare gjatë krizës së ngritjes së paprekshme të çmimeve të jetesës duhet të paguajnë për këta kilovatë sikur të ishin prodhuar prej gazit të lëngshëm të kushtueshëm të transportuar në brigjet e Greqisë nga Teksasi. Ky absurditet, që po mbisundon përtej Greqisë dhe Evropës, duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Absurditeti buron prej deluzionit se shtetet mund të simulojnë konkurrencë dhe rrjedhimisht tregun e energjisë elektrike. Meqë vetëm një kabllo elektrike zgjatet deri në shtëpi a biznese, duke ia lënë çështjet tregut do të shpinte drejt monopolit të madh – rezultat që askush nuk e dëshiron. Por qeveritë vendosën se mund të simulojnë treg konkurrues për të zëvendësuar përfitimet publike që gjeneronin dhe shpërndanin rrymë. Por ato nuk munden.