Vështrime

“En Marche” e Britanisë?

Brenda disa muajve të ardhshëm mundësia për ta krijuar një lëvizje të re politike mund të shfaqet në Britani. Kjo gjë varet, në rend të parë, nga ajo nëse ambiciet dhe ndasitë e lidershipit rreth Brexitit e konsumojnë partinë konservatore dhe, së dyti, nëse përshkallëzon rebelimi i kohëmëparshëm i më se 50 anëtarëve të lartë të Partisë Laburiste ndaj politikës së Corbynit për Brexitin. Të gjithë ata që e shqyrtojnë një mundësi të tillë duhet ta rikujtojnë Falklandin apo të pyeten se çfarë do të bëhej me SDP-në sikur Argjentina të mos zaptohej. Përveç kësaj, ata duhet ta kujtojnë moton e forcave speciale britanike: “Kush guxon, fiton”.

Londër – Po jetojmë në një epokë politikisht të trazuar. Partitë me jetëgjatësi mezi njëvjeçare kohë më parë kanë ardhur në pushtet në Francë dhe në rajonin masiv metropolitan të Tokios. Një parti që ekziston tash e pesë vjet po prin në anketat e opinionit publik në Itali. Një fillestar politik është vendosur në Shtëpinë e Bardhë për t’i shkaktuar goxha siklet establishmentit të republikanëve dhe demokratëve. Prandaj, cila tokë politike do të dridhet më pas?