Vështrime

Siguria juridike: mit apo realitet?

Çfarë kuptojmë me parimin e sigurisë juridike?

Siguria juridike nuk është thjesht një ndër termat e rëndomta që bën pjesë në fjalorin e shumicës së politikanëve dhe sistemit gjyqësor në Kosovë. Siguria juridike si term i veçantë nuk është gjithmonë i kuptueshëm për edhe vetë elementet që ngërthen. Mirëpo të njëjtat janë pjesë e pashmangshme e jetës ditore të qytetarëve dhe gjithsesi edhe politikave ditore. Fillimisht, për të zbërthyer definicionin e termit “Siguri juridike” mund të bazohemi tek Komisioni i Venecias. Bazuar në Listën e Kontrollit të Komisionit të Venecias për sundimin e ligjit në vend, siguria juridike është ndër pesë standardet të cilat definojnë funksionimin dhe situatën e sundimit të ligjit në një vend. Siguria juridike përfshin çështje që kanë të bëjnë me nivelin e qasjes në legjislacion, me nivelin e qasjes në vendime gjyqësore, parashikueshmërinë e ligjeve, stabilitetin dhe konsistencën e ligjeve, pritjet legjitime, ndalimin e retroaktivitetit, dhe parimin që siguron që nuk ka krim në rast se nuk është paraparë me ligj dhe nuk ka dënim në rast se nuk është e paraparë me ligj, ndër të tjera. Si i tillë ky standard tenton të sigurojë që qytetarët e një vendi kanë qasje të lehtë në legjislacion dhe në vendime gjyqësore, si dhe që legjislacioni i një vendi ju qëndron parimeve të njëjta në formë të vazhdueshme, ashtu që qytetarët e atij vendi janë të informuar paraprakisht për pasojat e sjelljes së tyre, si dhe të njëjtët kanë pritshmëri të qarta lidhur me veprimet institucionale.