Vështrime

Greva si shpërfaqje fytyrash

Ka mjaftuar një muaj grevë në arsim për t’u shpërfaqur shumë fytyra – që pushteti të tregojë arrogancë, SBASHK-u pazarin e inatin, opozita të mundohet ta shfrytëzojë për poenë politikë, që shoqëria të polarizohet e politizohet edhe më shumë, e që krejt në fund të mendohet seriozisht për rëndësinë e arsimit. Teksa duket se me një muaj përfundoi, pasojat i bart e vetmja viktimë në krejt këtë mes – e ardhmja e shoqërisë

Në fund të majit, Qeverisë i pati shkuar një letër në emër të ndërmjetësuesit mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarur dhe Qeverisë. Letra u dërgua dy muaj pas afatit për të cilin Qeveria ishte zotuar se do ta çonte në Kuvend ligjin për paga. 15 ditë ishte afati për përgjigje. U vendos të injorohej. Të paktën shteti s’tregonte përgjigje tjetër në interesimin e mediave. Paralajmërimit të parë për greva shteti iu përgjigj me heshtje.

Alarmi nisi ta bënte zhurmën e lehtë në gusht. Shteti prapë thuajse asgjë s’po ndodh. U desh të vërehej efekti në terren që mekanizmi shtetëror të lëvizte. Kur e bëri, e ktheu në betejë me ata që do të duhej t’i kishte partnerë. Pa u takuar në publik – të bërë të ditur shumë më vonë nga kryeministri – nga 100 eurot sa i kërkonin grevistët në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga, Qeveria i ndau nga 50 euro në muaj në kuadër të pakos për përballje të inflacionit, deri në fund të 2022-s, jo deri në hyrjen në fuqi të ligjit. Në konferencë, kryeministri deklaroi se kjo pako ishte për përballje me inflacionin dhe jo për kërkesën e sindikalistëve për shtesa deri në ligjin për paga. Krejt në rregull, deri kur ua kujtoi se ¾ e fëmijëve në teste ndërkombëtare po dalin analfabetë funksionalë, duke shmangur përgjegjësinë e shtetit që ai udhëheq. Mund të mos e ketë përgjegjësinë për bazat e sistemit aktual të arsimit në shtet, por për vonesat në përmirësimin e tij padyshim që po. Mekanizmi rregullues është në duart e pushtetit. S’ka titull tjetër pos “Mospranim i përgjegjësisë”.