Vështrime

Bashkimi i Gjermanisë dhe Kosova

Roli i Gjermanisë së ribashkuar e rriti peshën dhe përgjegjësinë e saj në rajon, në Evropë dhe në botë në tri dekadat e fundit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik. Ndikimi politik i Gjermanisë në proceset që kanë ndodhur gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë ka qenë i madh dhe vendimtar. Ky ndikim i madh i diplomacisë gjermane ka qenë evident edhe në procesin e adresimit të statusit final të Kosovës

Pas përmbysjes së Gjermanisë naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania për një periudhë u bë komb pa shtet. Më 1949, në zonat perëndimore (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik) u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Më vonë në skenën ndërkombëtare u njohën dy shtete të ndryshme gjermane dhe një komb gjerman.

Aspirata e ligjshme për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë, e cila në preambulë nënvizonte detyrimin gjermano-perëndimor për ribashkimin e popullit gjerman. Por, Gjermania e ndarë në dy shtete u bë epiqendër e konfrontimit e Luftës së Ftohtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.