Vështrime

Etika e kërkimit dhe subjektet jonjerëzore

Translational Psychiatry publikoi një studim kundërthënës përpara përditësimit të fundit të udhëzimeve të etikës kërkimore të Springer Nature. Por nuk është vonë për të tërhequr artikullin. Nëse referencat në doracakun për të drejtat e jetës jonjerëzore dhe shmangien e vuajtjeve të panevojshme kanë vërtet vlerë, është pikërisht kjo që duhet të bëjë tani Translational Psychiatry

Princeton – Në gusht, Springer Nature, botuesi i 3000 revistave akademike, duke përfshirë portofolin “Nature” të revistave shkencore më me ndikim në botë, kumtoi udhëzime të reja etike për redaktorët e saj, duke adresuar baraspeshën midis lirisë akademike dhe rrezikut që publikimi i disa kërkimeve të dëmtojë grupe specifike njerëzish. Doracaku gjithashtu përmend, megjithëse shumë shkurtimisht, kërkimin duke përdorur kafshët.

Ka udhëzime të vendosura prej kohësh që ndalojnë botimin e artikujve të bazuar në eksperimente ose prova që nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e subjekteve kërkimore njerëzore. Udhëzimi i ri shkon përtej kësaj, duke nënkuptuar që redaktorët të refuzojnë kërkimin që kontribuon në njohuri dhe të mbrojë siç duhet subjektet e tij kërkimore, nëse, për shembull, ai kontribuon në mënyrë indirekte në stigmatizimin e një grupi njerëzor të cenueshëm.