Cambridge, 3 nëntor - Mareshali legjendar prusian i luftës, Helmuth von Moltke plaku, pati thënë bujshëm se asnjë plan fushëbeteje nuk i mbijeton kontaktit të parë me armikun. Nënkuptimi ishte se komandantët që i fitojnë luftërat jo doemos janë ata me planet më të mira fillestare, por ata që u përshtaten shpejt informatës së re dhe kushteve në terren.
Kundërofensiva e mrekullueshme e ushtrisë ukrainase, e cila i detyroi trupat ruse që të zmbrapsen në Ukrainën lindore dhe atë jugore, është një rast i këtillë. Një shembull më pak brilant është përpjekja e Perëndimit për t’i përdorur sanksionet tregtare dhe ato financiare për ta tkurrur aftësinë e Rusisë që të zhvillojë luftë. Këtu gjërat nuk kanë shkuar sipas planit dhe tani është e qartë se strategjia duhet të rishikohet. Për këtë qëllim, ne kemi identifikuar disa hapa që do ta bënin më efektiv regjimin e sanksioneve të Perëndimit.
Breshëria fillestare e regjimit dukej mbresëlënëse. Menjëherë pas pushtimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tyre ngrinë pjesën më të madhe të rezervave ndërkombëtare të Rusisë, i përjashtuan shumicën e bankave të saj nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT dhe e ndaluan shitjen e shumë mallrave në Rusi (përfshirë pjesët e avionëve dhe sistemet kryesore të armëve). Ata u përpoqën ngathtësish njashtu që ta kufizojnë aftësinë e Rusisë për ta financuar veten nëpërmjet eksporteve të naftës dhe të gazit: SHBA-ja vendosi një embargo të menjëhershme të naftës, përderisa BE-ja njoftoi se do ta ndalonte shumicën e importeve të naftës ruse brenda 6-8 muajsh.
Krahas kësaj, me qindra kompani të huaja njoftuan se po largoheshin nga tregu rus. Por derisa parashikimet fillestare flisnin për një tkurrje dyshifrore të PBB-së dhe një kolaps të rublës, kjo gjë nuk ndodhi. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që PBB-ja e Rusisë të bjerë për 3.4 për qind këtë vit, ndërkohë që rubla është rritur afërsisht 20 për qind në krahasim me nivelet e paraluftës.
Kjo nuk do të thotë se sanksionet e udhëhequra nga BE-ja e SHBA-ja nuk ndikuan ndjeshëm në fuqinë luftarake të presidentit rus, Vladimir Putin. Por ato s’do mend se kanë qenë më pak efektive nga sa kishin shpresuar qeveritë në SHBA dhe ato evropiane.
Çfarë nuk shkoi për së mbari dhe çfarë mund të bëhet për të arritur një ndikim më të madh?
Sanksionet financiare synojnë që të krijojnë një lloj leve të fuqisë së SHBA-së dhe të aleatëve të saj mbi financat ndërkombëtare. Ato janë veçanërisht efektive kur përdoren kundër shteteve që kanë deficite. Duke ua pamundësuar këtyre shteteve financimin për vetveten, sanksionet financiare e shkaktojnë një goditje makroekonomike që rëndom shpie drejt një kolapsi në importe, prodhim dhe të monedhës lokale.
Mirëpo sanksionet financiare janë larg më pak efektive kur përdoren kundër shteteve që, sikurse Rusia, kanë teprica, ngase këto vende mund të përballojnë që të paguajnë për importe me fitimet e tyre nga eksportet. Përderisa sanksionet financiare e reduktojnë efikasitetin ekonomik dhe ndikojnë në aftësinë për të financuar projekte të mëdha e komplekse, këto efekte zbatohen në rritjen e ardhme, e jo në prodhimin aktual.
Efikasiteti i sanksioneve tregtare varet njashtu nga konteksti në të cilin ato vendosen. Në veçanti, suksesi i tyre varet nga aftësia e akëcilës palë për t’i ridrejtuar eksportet apo importet e tij. Sanksionimi i eksporteve në Rusi nuk është i njëjtë me ndalimin e importeve nga Rusia, në aspektin e kostove dhe përfitimeve.
Para luftës, BE-ja ishte pothuajse po aq e varur nga importet e energjisë ruse sa edhe Rusia nga shitja e naftës dhe gazit të saj në BE, duke rezultuar në një de fakto monopol dypalësh. Por përderisa gjigandi shtetëror i naftës, Rosneft, ka një pozitë dominuese në anën ruse, BE-ja ka shumë kompani importuese të energjisë përreth 27 shteteve anëtare. Kësisoj, përderisa Rusia mund të veprojë, BE-ja mund vetëm të luftojë për ta siguruar veprimin si e bashkuar. Për dallim prej kësaj, para luftës Rusia i siguroi 40 për qind të importeve të saja nga BE-ja, ndërsa tregu rus përfaqësonte 4 përqindëshin e eksporteve evropiane.
Numrat duken edhe më të favorshëm për koalicionin anti-Putin po qe se mendoni se SHBA-ja dhe BE-ja – së bashku me vendet e mbetura anëtare të G7-s: Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Australinë – i dominojnë shumë industri, duke përfshirë ato të avionëve, makinerive dhe instrumenteve mjekësore. Për 30 për qind të produkteve të importuara nga Rusia, hisja e koalicionit në tregun rus kaloi 70 përqindëshin para luftës. Kjo ua mundëson SHBA-së dhe aleatëve të saj që ta kufizojnë qasjen e Rusisë në furnizimet kritike, të cilat, bazuar në dokumentet e brendshme ruse, mund të kenë efekte shkatërruese ekonomike gjatë viteve në vijim. Mirëpo sanksionet aktuale nuk e shfrytëzojnë potencialin e plotë të kufizimit të eksporteve në Rusi. Shkaku se këto sanksione janë të bazuara ndaj mallrave kapitale, ato ndikojnë vetëm gradualisht në prodhim, pasi që pajisjet ekzistuese ruse zhvlerësohen dhe kërkojnë zëvendësim. Duke qenë të këtilla, ato nuk kanë efekt të menjëhershëm në prodhim që ndërprerja e inputeve të ndërmjetme kyç do të kishte. Duke e pasur parasysh urgjencën e përpjekjes së luftës, ne duhet t’i identifikojmë dhe t’i ndërpresim importet për të cilat Rusia ka tani nevojë.
Anëtarët e koalicionit anti-Putin duket se po ashtu kanë probleme serioze koordinimi. Që nga mestetori, BE-ja kishte ndaluar eksportin e rreth 37 për qind të të gjitha produkteve të prodhuara evropiane në Rusi, sipas të dhënave nga Global Trade Alert. Këto produkte numërojnë 45 përqindëshin e eksporteve të paraluftës të BE-së në Rusi. Por pothuajse gjysma e produkteve që BE-ja i ndaloi nuk u nënshtrohen kufizimeve të eksportit të SHBA-së dhe anasjelltas, duke ia mundësuar kësisoj Rusisë që të bëjë zëvendësim midis furnizuesve të koalicionit.
Në një dokument të fundit, ne e zhvilluam një kornizë për vlerësimin e efikasitetit të kufizimeve aktuale të eksportit, duke i sintetizuar njohuritë tona në një kriter të vetëm që e lejon prioritizimin e ndalesave të eksportit në Rusinë për produkte të përcaktuara ngushtësisht. Përfundimi ynë është i thjeshtë: Sanksionet mbi eksportet në Rusi janë përgjithësisht shumë efektive, duke shpjerë në një përqindje të humbjes së PBB-së që është rreth 100 herë më e madhe për Rusinë sesa për vendet sanksionuese.
Nëse sanksionet do të bazoheshin në kriterin tonë dhe do të koordinoheshin më mirë midis anëtarëve të koalicionit, atëherë kostot e pësuara nga Rusia do të rriteshin për përafërsisht 60 për qind, pa përfshirë kurrfarë kosto shtesë për vendet sanksionuese. Për më tepër, ekziston një hapësirë e konsiderueshme për rritjen e humbjeve të Rusisë, me anë të kufizimit të më shumë produkteve.
Lufta e Ukrainës po zhvillohet si në fushëbetejë, ashtu edhe në frontin ekonomik, me ç’rast miliona njerëz që bëjnë sakrifica për të mbrojtur vendin dhe demokracinë e saj. Ne duhet t'i mbështesim, duke siguruar që sanksionet tregtare të jenë aq efektive për aq kohë sa mund të jenë.
(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryeekonomist në Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit, është profesor në Shkollën e Qeverisjes, John F. Kennedy në Universitetin e Harvardit dhe drejtor i Laboratorit të Zhvillimit në Harvard. Ulrich Schetter është doktorant në Laboratorin e Zhvillimit në Harvard. Muhammed Yildirim është drejtor kërkimor në Laboratorin e Zhvillimit në Harvard. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe KOHA DITORE).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.