Vështrime

Etikë në gurë

Kultura e anulimit, bashkë me paranojën e saj të nënkuptuar, është një përpjekje e dëshpëruar dhe qartazi vetëmposhtëse për kompensimin e dhunës njëmend reale dhe jotolerancës që pakicat seksuale i kanë vuajtur gjatë kohës. Por është tërheqje në një kështjellë kulturore, në një pseudo-“hapësirë të sigurt”, fanatizmi diskursiv, i të cilit vetëm sa e fuqizon rezistencën e shumicës ndaj saj

Përparimi etik e prodhon një formë të dobishme të dogmatizmit. Një shoqëri normale dhe e shëndoshë nuk debaton nëse përdhunimi e tortura janë të pranueshme, ngase publiku “në mënyrë dogmatike” pranon që ato janë përtej të pranueshmes. Po kështu, një shoqëri që ka liderë që flasin për “përdhunimin legjitim” – siç dikur kishte bërë një ish-kongresist republikan në Shtetet e Bashkuara – apo për torturën e tolerueshme, i shpërfaq shenjat e qarta të kalbjes etike dhe aktet dikur të paimagjinueshme mund shumë shpejt të bëhen të mundshme.

Kijeni parasysh Rusinë sot. Në një videoxhirim të paverifikuar që ka nisur të qarkullojë gjatë këtij muaji, një ish-mercenar i grupit të mbështetur nga Kremlini, Wagner, akuzohet se ndërroi anë për “të luftuar kundër rusëve”, e pastaj një sulmues i paidentifikuar ia dërmon me çakan një pjesë të kokës së mercenarit. Kur u pyet për ta komentuar videon – të postuar nën përshkrimin “Çekani i hakmarrjes” – Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit Wagner dhe aleati i afërt i Vladimir Putinit, u përgjigj: “Një qen e meriton vdekjen e qenit”. Siç është vëzhguar nga shumëkush, sjellja e Rusisë tani është identike me atë të Shtetit Islamik.