Vështrime

Kërkohet planifikim, jo shpresë kantiane!

Shkrimtari dhe filozofi politik rus, disidenti i harruar, Andrej Amalrik, kur ka shpjeguar rënien e “Pax Romana”, ka treguar se si ajo nuk kishte ndodhur për një ditë, por në mënyrë graduale: kur janë parë dhitë në Forumin romak (qendra e pushtetit në kohën e Romës), sundimi global romak i ka takuar historisë

Defilimi si paraqitje për të treguar se të tjerët nuk ishin intelektual

Me defilimet intelektuale të kryeministrit të Kosovës, disa herë isha çuditur shkaku i përpjekjeve të tij të sforcuara për t’u dukur njëkohësisht si intelektual elitar dhe politikan. Kjo në vetvete nuk ngërthen asgjë të keqe kur paraqitja i dedikohet galerisë së brendshme, me qëllim të ruajtjes së legjitimitetin politik. Në këtë kuptim, nuk ka asnjë rëndësi niveli intelektual i galerisë, që më siguri të madhe nuk ka kuptuar nëse Karavaxho ka qenë i vetmi aplikues i teknikës së dritëhijes në pikturë, - fundja as vetë kryeministri nuk dukej që e kishte të qartë; gjithashtu, nuk e kanë pasur të qartë anëtarët e galerisë, me shumë siguri, nëse Noli e Konica u takojnë shkrimtarëve të Rilindjes shqiptare. Gjendja del ndryshe, megjithatë, kur ngazëllimi për vetëparaqitje në fytyrën e intelektualit kalon kufijtë nacionalë dhe, për më tepër, rastis që të bëhet në Selanik, me objekt bisede Aristotelin, kuluareve të një tubimi ndërkombëtar; ose, së voni, në Spanjë, me objekt ligjërimi Kantin. Nuk e kemi fjalën për Imanuel Kantin e filozofisë klasike politike, por për Kantin e idesë utopike mbi federatën (e krishterë) evropiane. Imagjinoni, tani, si mund të jetë ndier Spanja, vendi më i krishterë dhe përhapësi më i madh i krishterimit, u mor vesh pas Perandorisë Romake!