Vështrime

Mësimet nga gropa e Pedros

Storia e një grope në Mozambik, gjysmërrethit të Fushë-Kosovës dhe sheshit të Prishtinës janë storiet e thjeshtësisë së zgjidhjes përmes akteve të vogla ndryshimi. Nganjëherë disa zgjidhje në politikat publike janë fare të thjeshta. Ato nuk kërkojnë studime para fizibilitetit, vlerësimin e ndikimit mjedisor apo indikatorët SMART. Ato kërkojnë vetëm vullnet të mirë

Një ditë, një qytetar në Mozambik, i quajtur Pedro, është zgjuar për të kuptuar se në rrugën para shtëpisë së tij është shfaqur një gropë. Gropa rrezikonte veturat dhe sigurinë e banorëve të lagjes. Për të adresuar këtë problem, Pedroja shkoi në bashkësinë e Maputos. Aty zyrtarët e bashkisë e kanë pyetur detajisht për specifikat e gropës, siç janë gjerësia, thellësia, etj. Pas kësaj bisede bashkësia e ka njoftuar se ajo nuk është përgjegjëse për sanimin e gropës dhe se rasti do të përcillet tek qeveria qendrore. Kanë kaluar ditë dhe javë të tëra dhe pas një muaji gropa u vizitua nga një inspektorat qendror i ministrisë përgjegjëse për transport.

Pas marrjes së të gjitha shënimeve dhe fotografimit të gropës, ata e njoftuan Pedron dhe banorët e lagjes se Ministria nuk ka fonde për sanimin e gropës dhe se ajo do t’u drejtohet donatorëve për financim. Pasi që u kontaktuan donatorët, Ministria pranoi 100 faqe udhëzimesh për zhvillimin e projekt-aplikimit për sanimin e gropës. Ministria është dashur të shpjegonte – ndër të tjera – se si sanimi i gropës përputhet me prioritetet e programit qeverisës të Mozambikut, si kontribuon në përmbushjen e strategjisë ekonomike të Mozambikut, si do të bashkëfinancohet sanimi i gropës nga buxheti i Mozambikut, dhe si do të kontribuojë sanimi i gropës në promovimin e barazisë gjinore dhe luftimit të efekteve të ndryshimeve klimatike.