Vështrime

Çakordimi në harmoni

Ka pak rëndësi nëse Bindi im do të bëhet pianist i zoti. Njësoj, ka pak rëndësi nëse do të më bëjë krenar kur të tjerët do ta duartrokasin për interpretim mjeshtëror të Bachut a Chopinit. S’më bëhet fare vonë. Me rëndësi që ai dhe gjenerata e tij të mësojnë e të mos heqin dorë në kërkim të harmonisë. Dhe të mos pajtohen, si puna jonë, me atë se “disonanca është e vërteta mbi harmoninë”. Veçmas, e vërteta jonë

Kur ende nuk ishin ndezur dritat festive në rrugët që brenda natës bëhen sheshe, kisha strukur qosheve disa shënime, të cilave, dikur më vonë, rëndom në momentet e fundit dhe jashtë afatit, do t’u rrekesha për t’u orientuar për një grimë shkrimi me të cilin do ta shënoja vitin. Dhe rikthimi te po këto shënime është njëfarë rituali tashmë.

Diku gjeta soj urdhrash të tipit që të shfletoja gazetën e filan date, me numër faqeje të përcaktuar qartë. Diku kisha shkruar një titull libri, si “Neveria” e Sartreit. Diku një barsoletë që tash, në rilexim, nuk më jep kurrfarë sensi humori a finaleje buzagazi. Shkrimi i gazetës qe një udhëpërshkrim i vitit 1923, se si serbët i paraqisnin shqiptarët cuba, që prej “Evropës s’kishin mësuar gjë, pos të përdorin armët”. Për ç’arsye e në çfarë forme detyrohesha ta gjeja fillin e një rrëfimi të një shekulli më vonë, nuk i shihej kund shkëndija. “Neveria” nuk më kujtohej kur e kisha lexuar, tash nuk jam i sigurt edhe nëse e kam lexuar ndonjëherë. Gjeta edhe një fjali, shkarravitur, se sikur “Sartre ta jetonte realitetin e sotëm do ta rishkruante ‘Neverinë’”. Diku tjetër, një tjetër titull.