Pas dekadave të rënies në periferinë e të menduarit ekonomik, politika industriale po e bën një rikthim. Teksa më shumë vende po ndërmarrin masa për t’i mbështetur industritë e caktuara dhe për të krijuar të reja, ringjallja e politikës industriale ishte temë kyç në takimin e këtij viti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Akti 280-miliardëdollarësh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës “CHIPS and Science” përbën një rast të tillë. Legjislacioni i ri synon ta zgjerojë industrinë e gjysmëpërçuesve amerikanë me qëllim të reduktimit të varësisë së Amerikës nga Kina dhe që ta garantojë supremacinë e saj teknologjike. Po kështu, Akti i Uljes së Inflacionit (IRA) i administratës së Bidenit përfshin 370 miliardë dollarë subvencione për transicionin e energjisë.
Vendet e Bashkimit Evropian, të zemëruara për diskriminimin e programeve amerikane ndaj furnitorëve të huaj dhe për shkeljen e rregullave ndërkombëtare, si dhe për rregullat e BE-së që i ndalojnë subvencionet specifike shtetërore për industrinë, planifikojnë që të përgjigjen duke i lehtësuar rregullat e tyre subvencionuese. Në ndërkohë, një e treta e 1.8 biliardë eurove për financimin e investimeve në planin e rimëkëmbjes “NextGenerationEU” do të financojë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, të prezantuar në vitin 2019, e cila do t’i ndihmojë vendet anëtare të investojnë në projekte të energjisë së pastër. Dhe kjo tendencë nuk është e kufizuar vetëm në vendet perëndimore: Indonezia e vendosi një ndalesë për eksportet e xeherorit të nikelit për promovimin e industrisë së saj të baterive për automjete elektrike.
Politika të këtilla kanë ekzistuar që nga Revolucioni Industrial. Në dekadat e fundit, megjithatë, ekonomistët kanë vënë në dyshim dobinë e tyre. Qeveritë nuk duhet t’i zgjedhin fituesit, thotë argumenti, por më mirë është që t’i lihet tregut t’i alokojë burimet nëpër industri asisoj që t’i reflektojnë preferencat e konsumatorëve dhe mundësitë teknologjike. Bazuar në të njëjtën logjikë, politikëbërësit duhet të ndërhyjnë në treg vetëm atëherë kur kanë informacion të mjaftueshëm se disa eksponentë të jashtëm po shkaktojnë keqfunksionim në tregu. Dhe edhe atëherë, do të thoshin kritikuesit, qeveritë mund t’i përkeqësojnë gjërat duke i shtuar vetë dështimet e tyre – për shembull, kapjen e politikave nga akterët që kërkojnë qira – kundruall atyre të tregut. Me revolucionin Reagan-Thatcher dhe me shpërfaqjen e të ashtuquajturit Konsensusi i Washingtonit në vitet 80’, këto argumente u përfshinë në një bindje të re.
Por teoricienë të ekonomisë qysh prej asaj kohe kanë arritur që ta njohin vlerën e politikave industriale. Ne tani e dimë se ka shumë raste kur ndërhyrja e Qeverisë është e justifikuar. Pyetja, pra, nuk është nëse politikat industriale duhet të ekzistojnë, por si duhet të menaxhohen.
Për shembull, të mësuarit nga të bërit shihej gjithandej si një fenomen i madh dhe i rëndësishëm që kërkon ndërhyrje politike shumë kohë përpara se ekonomistët ta kapnin. Ekzistojnë prova të shumta që tregojnë se shumë kompani dhe industri përmirësohen me kalimin e kohës teksa akumulojnë përvojë prodhimi. Në vitin 1936, inxhinieri i aeronautikës, Theodore Wright, e formuloi atë që tani njihet si Ligji i Wrightit, i cili thotë se kostot bien në mënyrë eksponenciale me prodhimin e akumuluar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria amerikane e përdori këtë ligj në kontratat e saj të prokurimit për të korrur kursime në kosto. Mirëpo ideja u përfshi në ekonomi vetëm me anë të një punimi të Kenneth Arrowit, botuar më 1962. Që atëherë ajo është përdorur për të justifikuar mbrojtjen e industrisë në foshnjëri, të angazhimeve të avancuara të tregut dhe të subvencioneve sikurse ato të përfshira në IRA.
Fuqia e tregut është një tjetër papërsosmëri që e kërkon ndërhyrjen e qeverisë. Për këtë qëllim, Akti CHIPS i mundëson SHBA-së që të kundërshtojë dominimin e Kinës. Frika është se Kina mund ta përdorë këtë dominim si një armë ekonomike, në të njëjtën mënyrë sikurse SHBA-ja e përdor dominimin e saj në sistemin financiar dhe në teknologji të caktuara për t’i sanksionuar vendet e tjera. Akti CHIPS synon ta reduktojë cenueshmërinë e ekonomisë amerikane karshi presionit kinez.
Të gjitha këto ndërhyrje kanë të bëjnë me lëvizjen e çmimeve të tregut për t’i bërë industritë e caktuara, të tilla si gjysmëpërçuesit apo energjia e ripërtëritshme, më fitimprurëse dhe kësisoj më të mëdha sesa që do të ishin në rastin e kundërt. Por një tjetër formë e ndërhyrjes së qeverisë ka të bëjë me plotësueshmërinë midis të mirave publike dhe atyre private. Për shembull, për vetura nevojiten rrugë, semaforë, rregulla të ngasjes dhe policë. Trenave u nevojiten binarë dhe stacione. Veturat elektrike kërkojnë stacione karikimi të disponueshme gjerësisht. Dhe të gjitha industritë mbështeten te punëtorët me aftësi të veçanta. Këto inpute ndikohen në mënyrë eksplicite dhe të nënkuptuar nga politikat e qeverisë, të cilat janë thelbësore për krijimin e kushteve të duhura për rritje dhe për prosperitet të përbashkët.
E vetmja mënyrë se si qeveritë mund ta ofrojnë kombinimin e duhur të të mirave publike është që të angazhohen me sa më shumë industri që të jetë e mundur. Politikat industriale nuk kanë të bëjnë me zgjedhjen e fituesve, por me garancinë që oferta e të mirave publike ta rrisë produktivitetin sa më shumë që të jetë e mundur. Për shkak se nuk mund të mbështeten në dorën e padukshme të tregut për të koordinuar veprimet e mijëra agjencive publike dhe efektet e miliona faqeve të legjislacionit, qeveritë duhet të përfshihen dhe të angazhohen. Kjo është arsyeja përse në vende demokratike ka kaq shumë dhoma biznesi dhe grupe lobimi që përpiqen të ndikojnë në ofrimin e të mirave publike në mënyra që i rrisin mundësitë e industrive të tyre për të krijuar vlera. Sigurisht, këto grupe mund të angazhohen edhe në kërkimin e qirasë, por konkurrenca demokratike mund ta mbajë një sjellje të tillë larg.
Asnjë nga këto nuk nënkupton që qeveritë duhet t’i imitojnë politikat e shtrenjta që duken se janë në modë këto ditë. Politikbërësit duhet të përqendrohen në problemet e tanishme të vendeve të tyre dhe t’i bëjnë zgjidhjet e duhura. Kopjimi i zgjidhjeve të vendeve të tjera për problemet që nuk i keni, apo përqendrimi në çështjet aktuale që në të vërtetë nuk janë aq të rëndësishme, është një recetë për joefikasitet, në mos për shkatërrim.
Për shembull, diversifikimi në industritë e reja – një synim kyç për shumë vende – e kërkon identifikimin e të mirave publike që këto industri i kërkojnë, si dhe ofrimin e ndihmës për to nëpërmjet procesit të të mësuarit. Përderisa dekarbonizimi shpjerë në shfaqjen e tregjeve dhe industrive të reja, qeveritë po përpiqen që të kuptojnë se si të bëhen pjesë e transicionit të gjelbër. Vende të tjera mund të dëshirojnë t’i reduktojnë pabarazitë rajonale apo t’i integrojnë universitetet e tyre në një ekosistem më energjik inovacioni, ose të përshpejtojnë zhvillimin me anë të adresimit të dështimeve të kamotshme në ofrimin e inputeve kryesore, si energjia elektrike, uji, mobiliteti, trajnimi dhe shërbimet digjitale.
Për t’i adresuar këto sfida, qeveritë duhet të kenë qasje në të gjitha mjetet e politikës që mund të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve. Mënjanimi i këtyre mjeteve si “politikë industriale”, siç e kanë zakon disa ta bëjnë, nuk i bën ato më pak të nevojshme.
(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryeekonomist në Bankën Ndër-Amerikane të Zhvillimit, është profesor në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit dhe drejtor i Laboratorit të Rritjes në Harvard. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.