Vështrime

Analizë: “Asociacioni i Komunave Serbe (AKS)”

Qeveria e Kosovës është duke e përjetuar trysninë më të madhe politike për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), një kërkesë e Serbisë, realizimin e së cilës Bashkësia Ndërkombëtare (nën udhëheqjen e SHBA-së) e ka shndërruar në mision parësor në Kosovë.

Asociacioni i Komunave Serbe (AKS) është një entitet politik një-etnik i cili buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, e nënshkruar në prill 2013 nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Përkundër se e kërkoi me ngulm, Serbia asnjëherë nuk e ratifikoi në Kuvend këtë marrëveshje, kurse Kosova e bëri brenda gjashtë ditëve. Parimet e AKS-së u definuan tutje me marrëveshjen e gushtit 2015 (zyrtarisht e titulluar: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore) që u nënshkrua nga ish-kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq. Këtë marrëveshje, pastaj, ish-presidentja Atifete Jahjaga e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese në tetor 2015 për ta shqyrtuar nëse është në përputhje me frymën e Kushtetutës, 2 kapituj të plotë, si dhe nenin 3 të kapitullit I, i cili e përcakton Republikën e Kosovës si shoqëri shumetnike. Në dhjetor të atij viti Gjykata vendosi që marrëveshja nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe se i shkel 18 nene të ndryshme të kapitujve të ndryshëm të saj.