Vështrime

Normalizimi nuk arrihet me retorikën për “Kurtin dhe 1800 terroristë shqiptarë”

Për dy ditë me radhë në Kuvendin e Serbisë u zhvillua një debat për Kosovën mes deputetëve dhe presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Si zakonisht, ai i njoftoi për presionin e madh, të paparë në histori, i cili po bëhet mbi të dhe mbi Serbinë, por se ai nuk dorëzohet dhe nuk mund të shantazhohet.

Debati në Kuvendin e Serbisë me presidentin e këtij shteti, Vuçiq, la përshtypjen se Vuçiqi ndoshta vërtet është ndër politikanët më racionalë sot në Serbi. Por edhe ai shumë herë, duke akuzuar kritikët e tij të sotëm, me zë kërcënues i kritikoi ata që në të kaluarën i kishin “liruar Kurtin dhe 1800 terroristë shqiptarë“, duke treguar edhe letrën me të cilën ky grup i madh ishte liruar pas rënies së Milosheviqit nga pushteti. Kur në BE i “marrin mirë në dijeni“ fjalimet e tilla të Vuçiqit, shpresojmë të mos mendojnë edhe në deklaratat, sipas të cilave ka qenë gabim që të lirohen “Kurti dhe 1800 terroristë“. Në atë grup kishte dhe gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe shkrimtarë, në mesin e shumë njerëzve të kidnapuar nga regjimi i Milosheviqit. Një paraqitje e tillë mund t’i shërbejë Vuçiqit për të qëruar hesapet me kritikët e tij të sotëm në Serbi, por ajo e bën pothuajse të pamundur pajtimin

Për dy ditë me radhë në Kuvendin e Serbisë u zhvillua një debat për Kosovën mes deputetëve dhe presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Si zakonisht, ai i njoftoi për presionin e madh, të paparë në histori, i cili po bëhet mbi të dhe mbi Serbinë, por se ai nuk dorëzohet dhe nuk mund të shantazhohet.

Vuçiqi kishte përgatitur një taktikë të përballjes me kritikët. Ata të cilët e akuzonin për tradhti i fyente, duke ua rikujtuar se çfarë kanë bërë ata kur kanë qenë në pushtet. Ata të cilët e kritikonin pse nuk është sa duhet në anën e Perëndimit i kritikonte nga pozicioni i patriotit. Herë lavdërohej se “Serbia sot ka ndikim në Perëndim” e herë se ai është i vetmi politikan i Serbisë, pas mbretit Aleksander, që nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka marrë medaljen më të lartë për merita. Herë lavdërohej se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, e herë paralajmëronte se Serbia mund t’i vendosë këto sanksione një ditë nëse çmimi që paguan Serbia do të jetë tepër i lartë.