Vështrime

Rrethi vicioz i Asociacionit dhe si të dilet prej tij

Më 2013 Kuvendi i Kosovës ratifikoi “Marrëveshjen e parë” si traktat ndërkombëtar që e vë në pozitë sipërore karshi ligjeve të vendit. Kjo marrëveshje nuk do ta kalonte testin e Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, rrjedhimisht as atë të Kushtetutës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese, megjithatë, e obligon Kosovën që të zbatojë një marrëveshje që është e ndërtuar mbi diskriminim, pra si shkelje e të drejtave të njeriut, pra si shkelje kushtetuese. Ky është rrethi vicioz prej të cilit do gjetur daljen

1.

Në diskursin publik tashmë me të madhe bisedohet për një çështje që nuk po largohet nga skena, e ajo është Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Së fundmi, kjo çështje u lidh edhe me iniciativën diplomatike më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, të planit euro-amerikan për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, rihapja e çështjes së Asociacionit/Bashkësisë u përcoll edhe me një draft-statut (përgatitur nga organizata prestigjioze FES, zyra në Prishtinë) dhe me debatin e filluar në Ambasadën amerikane në Prishtinë lidhur me idetë për të vazhduar tutje punën rreth Asociacionit/Bashkësisë.