Rezerva Federale e SHBA-së është e vetëkënaqur në mënyrë të rrezikshme për ndryshimin e klimës. Gjersa kuptohet që nuk dëshiron të marrë drejtimin për një çështje që mbetet kaq polarizuese politikisht në Shtetet e Bashkuara, veprimet e kufizuara që ka ndërmarrë janë mjerisht të pakta nga ajo që nevojitet të bëhet.
Më keq, ushtrimi i tij i ri i “analizës së skenarit pilot të klimës” me gjashtë banka të mëdha ka të ngjarë t’i nënvlerësojë si rreziqet e ndryshimeve klimatike ashtu edhe mundësitë e ofruara nga kalimi në emetimet zero. Duke dështuar në nxjerrjen e mësimeve nga manovrat e ngjashme nga bankat qendrore në Evropë dhe kudo, Rezerva po mbështetet në skenarët e krijuar nga Rrjeti për Gjelbërimin e Sistemit Financiar (NFGS), pavarësisht nga pranimin i rritjes se këto mbështeten në themele me të meta.
Bankat qendrore kanë pranuar prej kohësh se rreziqet thelbësore mungojnë nga modelet kryesore të vlerësimit të integruar (IAM) që ato përdorin. Megjithatë, nuk e pranojnë se këto boshllëqe i lënë analizat e tyre sistematike të njëanshme kundër veprimit klimatik. Kanë injoruar kritikat e mprehta nga ekonomistë të shquar si Nicholas Stern dhe Joseph E. Stiglitz, të cilët vënë në dukje se “IAM-të kanë vlerë shumë të kufizuar … Ata nuk arrijnë të ofrojnë shumë në rrugën e udhëzimeve të dobishme, qoftë për intensitetin e veprimit, qoftë për politikat që sjellin rezultatet e dëshiruara”.
Frekuenca në rritje dhe ashpërsia e ngjarjeve ekstreme të motit tani janë shumë të dukshme për bankat qendrore për t’i injoruar. Megjithatë, teksa stërvitja e Rezervës do të përfshijë një skenar në të cilin një uragan i madh godet Bregun Lindor të SHBA-së, modelimi i tij në stilin NGFS do të heqë shumë faktorë dhe procese kritike. Ndryshimet shkatërruese në politikë, tregje financiare dhe teknologji do të fshihen të gjitha. Ndërveprimet komplekse midis ngjarjeve të drejtuara nga klima dhe sjelljes njerëzore, që përfshijnë pika kthese dhe ndryshime jolineare ose kërcime diskrete në probabilitetet e rrezikut klimatik - mezi do të kapen.
Kjo do të thotë se mundësi të tilla si një luftë e zgjatur në Ukrainë, një rikthim i mohimit të klimës në Shtëpinë e Bardhë, një luftë tregtare e burimeve të rinovueshme me Kinën, recesione ose përplasje të tregut të aksioneve nuk mund të shihen askund. Nuk janë as mundësi më pozitive, të tilla si rritja e popullaritetit të politikës së gjelbër progresive, një shpërthim në shitjet e automjeteve elektrike, derisa ato arrijnë barazinë e çmimeve me automjetet me motor me djegie të brendshme, apo progresi i vazhdueshëm i shpejtë teknologjik.
Larg nga të qenit thjesht detaje teknike, këto lloj defektesh modelimi mund të çojnë në katastrofë. Skenarët NGFS do të na bënin të besojmë se në një “botë të biznesit si zakonisht” që shkon drejt ngrohjes 3° celsius, GDP-ja globale në vitin 2050 do të ishte vetëm rreth 4% më e ulët (duke nënkuptuar një humbje prej më pak se dy vjet rritjeje) sesa në një botë ku ne kemi arritur emetime zero dhe kemi mbajtur ngrohjen brenda 1.5°C. Nuk është çudi që bankat qendrore parashikojnë vetëm humbje modeste financiare. Megjithatë, kjo pikëpamje bie në kontrast të thellë me paralajmërimet e furishme të shkencëtarëve të klimës për dëmin e madh që do të sjellë ngrohja e vazhdueshme globale.
Duke e komplikuar problemin, skenarët NGFS minimizojnë përfitimet e mundshme të transicionit zero. Në fakt, ata sugjerojnë se kjo do të çojë në inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët, ndërsa injorojnë mundësinë që progresi teknologjik i gjelbër të ulë çmimet dhe të nxisë rritjen.
Kjo na çon në një problem tjetër me ushtrimin e skenarit të klimës së Rezervës Federale: Do të bëjë pak për të ndihmuar bankat të përmbushin thirrjen e vetë NGFS-së për ato që të marrin parasysh rreziqet dhe mundësitë klimatike në të gjithë vendimmarrjen e tyre. Bankat në Evropë tashmë kanë hedhur dyshime mbi dobinë e ushtrimeve të tyre mbikëqyrëse lokale dhe një reagim i ngjashëm ka të ngjarë në SHBA. Skenarët që janë mjerisht të pamjaftueshëm për vlerësimin e rrezikut sistematik afatgjatë, pa dyshim që janë edhe më pak të dobishëm për bankat specifike të testimit të stresit.
Pasi i kanë dhënë zotimet e tyre, bankat janë nën presion më të menjëhershëm për të zhvilluar dhe zbatuar planet e tyre të transicionit. Shumë prej tyre janë angazhuar tashmë për objektiva të përkohshëm si përgjysmimi i emetimeve që po financojnë deri në vitin 2030, duke nënkuptuar reduktime prej 8% në vit. Ndryshime të tilla të fuqishme do të transformojnë strategjinë e tyre, modelet e biznesit dhe vendimet e kreditimit dhe investimeve.
Këto zhvillime duhet të detyrojnë një ndryshim rrënjësor në analizat e skenarëve klimatikë. Ekziston një nevojë e madhe jo vetëm për skenarë afatgjatë më realistë, por edhe për skenarë më të përshtatshëm afatshkurtër. Këto do të ishin thellësisht të ndryshme nga skenarët NGFS. Mirëpo, përsëri, Rezerva duhet se nuk e ka marrë memorandumin. Edhe pse ka shkurtuar horizontin kohor për ushtrimin e saj nga 2050 në 2032, ai po i përmbahet NGFS-së.
Kjo ka pak kuptim. Për skenarë që zgjasin më pak se dhjetë vjet, ngrohja globale nuk është rrezik; është siguri. Pasiguritë thelbësore janë ato që rrjedhin nga ngjarjet ekstreme të motit dhe rreziqet e transicionit që përfshijnë ndërveprimin e gjeopolitikës, politikave lokale të klimës dhe paqëndrueshmërisë së tregut financiar. Vërtet, NGFS-ja ka njoftuar planet për të adresuar këtë boshllëk duke zhvilluar skenarë afatshkurtër. Por mbetet për t’u parë nëse këto do të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat imediate të bankave. Me shumë mundësi, bankat në SHBA dhe kudo do të detyrohen të marrin vetë iniciativën.
Por kjo tregon për një problem tjetër me qasjen në rritje të Rezervës Federale. Skenarët më të personalizuar do të zhvendosin fokusin drejt rreziqeve të vetë bankave dhe larg atyre të sistemit më të gjerë. Bankat individuale janë të shqetësuara jo vetëm me gjurmët e tyre klimatike dhe me zinxhirët e furnizimit, por edhe me sjelljen e konkurrentëve të tyre (dhe rrjedhimisht performancën e tyre relative). Ndërkohë që bankat sigurisht rrezikojnë të “gjelbërojnë” shumë ngadalë, ato gjithashtu mund të përballen me rrezikun e lëvizjes shumë shpejt, sepse nëse të gjithë të tjerët dështojnë të përmbushin objektivat e tyre neto zero, huat dhe investimet e tyre të gjelbra mund të rezultojnë të jenë humbje.
Rezerva Federale duhet të marrë merita për vendosjen e analizës së skenarit klimatik në agjendë. Por në përshkrimin e skenarëve që nuk arrijnë t’i kapin realitetet e ndryshimeve klimatike, rrezikon të shpërqendrojë bankat nga detyra urgjente e rialokimit të flukseve të kapitalit.
(Autori është profesor vizitor në Institutin e Bankave dhe Financave në Londër. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.