Vështrime

Lufta që ndryshoi botën në mënyrë të pakthyeshme

Përderisa në kohën e Luftës së Ftohtë ekzistonte bindja se një ditë do të bien diktaturat komuniste dhe Evropa do të bashkohet me përfundimin e tyre, invazioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar botën në mënyrë të pakthyeshme. Raportet e botës së lirë me Rusinë kurrë më nuk do të jenë si dikur. Ky agresion dhe krimet në Ukrainë, pa fije shprese se Rusia do të pranojë çfarëdo faji, i kanë dhënë fund edhe naivitetit që ka ekzistuar për dekada në Perëndim

Para një viti nisi invazioni i Rusisë në Ukrainë që shënoi nisjen e ndryshimeve të pakthyeshme në skenën gjeopolitike të botës, e sidomos të Evropës. Nisja e asaj lufte i dha fund dilemës nëse vërtet Rusia donte apo jo ta niste një invazion të tillë apo gjithçka ishte një trillim i CIA-s amerikane. Por edhe kur panë se ka nisur ky invazion, të shumtë ishin ata që besonin se gjithçka do të përfundonte brenda dy apo tri ditësh, se Rusia do të okuponte tërë Ukrainën, lidershipi politik do të dorëzohej, e ndoshta edhe të ekzekutohej nëpër sheshe, siç dinë të bëjnë okupatorët barbarë. Dhe pastaj me Putinin si fitues do të bëhej paqe. Por populli i Ukrainës nuk bënte kalkulime. Kishte vendosur të luftojë dhe po mbrohet me shumë sukses tash e një vit.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë i ka vënë në sfidë të gjitha vlerat morale, politike, juridike dhe, po ashtu, edhe doktrinat ushtarake. Ka krijuar tundime jo të lehta, jo vetëm për Ukrainën dhe popullin e saj të guximshëm, por për shumë udhëheqës politikë në vendet e Perëndimit, të cilët përballen me pasojat e kësaj lufte. Një prej shteteve, që ndoshta e ka pasur më së vështiri është Gjermania. Një shtet, populli i të cilit ka një kujtesë jo të mirë kolektive të përgjegjësisë morale kolektive për atë që ndodhi në kohën e fashizmit. Por në përgjithësi e tërë bota perëndimore po përballet me një detyrim moral që për fat të mirë është bërë edhe prioritet politik; ndihma maksimale popullit të Ukrainës që të mbrohet nga agresioni i tmerrshëm i Rusisë.