Vështrime

Kujtim lufte 25 vjet pas (2)

Era e dheut të rrëmihur ndihej prej larg. Ishte e tmerrshme të shiheshin madje 24 piramida të vockla me nga një dërrasë që identifikonte viktimën, teksa fryma e bartte heshtjen tonë pikëlluese tutje, si ngricë që ta kaplon zemrën kur e sheh vdekjen me sy

Secili mars në 25 vjetët e fundit më ka kthyer prapa në luftë.

E di që shumëkujt që e ka pasur rastin t’i dëgjojë rrëfimet e mia jo rrallë të përsëritura nga koha e kaluar në terren gjatë luftës, mund të mos i duket interesant insistimi im që t’i kujtoj ato ditë. Por kjo shkon përtej kontrollit që e kam mbi veten – për të mos harruar, duhet përsëritur. Porse ne, thjesht, luftën e harruam shumë shpejt.