Vështrime

Mali i Zi në NATO nuk mund të bëhet satelit i Rusisë

Lideri shumëvjeçar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë sundimit të të cilit Mali i Zi u bë shtet, hyri në NATO dhe nisën negociatat e anëtarësimit në BE, të dielën humbi zgjedhjet presidenciale. Në rrethana normale, një humbje pas aq shumë vjetësh nuk do të shihej si ndonjë dramë. Do të konsiderohej jo vetëm si normale, por edhe i dëshirueshëm largimi nga pushteti pas një kohe aq të gjatë. Por në Mal të Zi rrethanat nuk janë të zakonshme. Në atë shtet jo të madh, por të rëndësishëm, po testohen shumë politika. Njëra prej tyre është zgjerimi i interesave të Serbisë dhe Rusisë përmes një luftës hibride, pasi për konflikt të armatosur nuk ka mundësi. Mali i Zi si anëtar i NATO-s gëzon mbrojtjen e ombrellës kolektive të Aleancës sipas Artikullit 5. Prandaj as Serbia e as Rusia nuk mund të kenë pasur as ide që të rrezikojnë integritetin territorial të këtij shteti anëtar të NATO-s. Por kanë gjetur një rrugë tjetër. Atë hibride, përmes përdorimit të Kishës Ortodokse Serbe, përmes ndikimit në skenën mediale dhe të partive politike.

Pas humbjes së Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet në Mal të Zi dhe fitores së kandidatit proserb, do të ndodhin disa paradokse në rajon. Mali i Zi do të forcojë edhe më shumë raportet me Serbinë e Shqipërinë, ndërsa do të ketë raporte shumë të rezervuara me Kosovën dhe Kroacinë. Sa i përket NATO-s, forcat proserbe nuk do të shkojnë aq larg sa ta largojnë Malin e Zi nga NATO-ja dhe të tërheqin njohjen e Kosovës. Por kujdesi që Mali i Zi të mos shndërrohet në një “Serbi me dalje në det“ dhe si pasojë një satelit i Rusisë në Ballkan mbetet i lartë

Lideri shumëvjeçar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë sundimit të të cilit Mali i Zi u bë shtet, hyri në NATO dhe nisën negociatat e anëtarësimit në BE, të dielën humbi zgjedhjet presidenciale. Në rrethana normale, një humbje pas aq shumë vjetësh nuk do të shihej si ndonjë dramë. Do të konsiderohej jo vetëm si normale, por edhe i dëshirueshëm largimi nga pushteti pas një kohe aq të gjatë. Por në Mal të Zi rrethanat nuk janë të zakonshme. Në atë shtet jo të madh, por të rëndësishëm, po testohen shumë politika. Njëra prej tyre është zgjerimi i interesave të Serbisë dhe Rusisë përmes një luftës hibride, pasi për konflikt të armatosur nuk ka mundësi. Mali i Zi si anëtar i NATO-s gëzon mbrojtjen e ombrellës kolektive të Aleancës sipas Artikullit 5. Prandaj as Serbia e as Rusia nuk mund të kenë pasur as ide që të rrezikojnë integritetin territorial të këtij shteti anëtar të NATO-s. Por kanë gjetur një rrugë tjetër. Atë hibride, përmes përdorimit të Kishës Ortodokse Serbe, përmes ndikimit në skenën mediale dhe të partive politike.

Por ajo që duhet pranuar, sado paradoksale që duket, është se Gjukanoviq u rrëzua nga pushteti me mjete demokratike. Dhe forcat proserbe, së paku në zgjedhjet presidenciale, sepse ato parlamentare do të jenë më vonë, kanë fituar në mënyrë demokratike. Në mënyrë po aq paradoksale ky fakt është në kundërshtim të plotë me akuzat se Gjukanoviq po largohet si “diktatori i fundit në Evropë”. Sepse diktatorët nuk largohen nga pushteti përmes procesit zgjedhor duke humbur në votime të lira të qytetarëve. Dhe akuzat ndaj Gjukanoviqit se është “diktator” nuk shkojnë me mbështetjen për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, e shembull i mirë i demokracisë nuk mund të jetë as Serbia. Edhe më paradoksale është se Gjukanoviq humbi në zgjedhje jo nga kandidati i opozitës, por i pushtetit, sepse të gjitha partitë që janë aktualisht në pushtet, përfshirë edhe “Urën” e kryeministrit në detyrë, Dritan Abazoviq, ishin kundër tij.