Vështrime

Sa shumë punë duhet bërë?

Që nga shfaqja e ChatGPT-së dhe konkurrentëve të tij, diskutimet për të ardhmen e punës janë rrotulluar rreth masës në të cilën puna njerëzore do të mbetet e nevojshme. Sigurisht, integrimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese në tregun e punës do të sjellë përçarje të konsiderueshme, duke i bërë të vjetruara punën tradicionale të epokës industriale dhe vendet e punës. Por, pavarësisht nga ajo që na pret, ne nuk mund t’i trajtojmë pyetjet se ku dhe sa kohë punojmë pa iu përgjigjur më parë pyetjes themelore se pse punojmë

Pandemia e COVID-19 mund të ketë përfunduar zyrtarisht, por pak a shumë sikurse në rastin e ndërrimit të drejtimit te binarët e trenave, ajo tashmë ka devijuar jetë të panumërta në shtigje jashtëzakonisht të ndryshme. Miliona individë nuk do t'i rikthehen kurrë rutinave të tyre të punës para pandemisë, duke i detyruar si punëdhënësit, ashtu edhe punonjësit të krijojnë modele të reja që plotësojnë nevojat e tyre në zhvillim. Por mes eksperimenteve të vazhdueshme me modelet hibride, ne e gjejmë veten përballë një pyetjeje më të thellë: Sa punë duhet bërë?

Të paktën në vendet e zhvilluara, këto ndryshime dhe eksperimente pas pandemisë mund të shkaktojnë një revolucion të tregut të punës po aq të thellë sa ndryshimet në vendet e punës, oraret dhe kompensimet që shënuan kalimin nga epoka bujqësore në epokën industriale.