Vështrime

Amerika dhe Kina drejt përplasjes

Sigurisht, kinezët do të donin të harronin se përshkallëzimi i sotëm u detyrohet po aq, nëse jo më shumë, politikave të tyre agresive sa edhe strategjisë së SHBA-së. Në intervistat e fundit me rastin e 100-vjetorit të tij, Henry Kissinger – arkitekti i “hapjes së Amerikës ndaj Kinës” në vitin 1972 – ka paralajmëruar se nëse të dy vendet nuk gjejnë mirëkuptim të ri strategjik, do të mbeten në kurs përplasjeje

Pas samitit të G7-s në maj në Hiroshima, presidenti amerikan, Joe Biden, pretendoi se pret “shkrirje” në marrëdhëniet me Kinën. Megjithatë, pavarësisht disa takimeve të fundit zyrtare dypalëshe – me sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, që shpreh shpresat për një vizitë në Kinë së shpejti – marrëdhëniet mbeten të akullta.

Në fakt, larg nga shkrirja, lufta e re e ftohtë po bëhet më e ftohtë dhe vetë samiti i G7-s zmadhoi shqetësimet kineze për ndjekjen e Shteteve të Bashkuara të një strategjie të "përmbajtjes, rrethimit dhe shtypjes gjithëpërfshirëse". Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, kur udhëheqësit e G7-s ofruan kryesisht biseda dhe pak veprime, ky samit doli të ishte një nga më të rëndësishmit në historinë e grupit. SHBA-ja, Japonia, Evropa, miqtë dhe aleatët e tyre e bënë më të qartë se kurrë se ata synojnë të bashkojnë forcat për t'iu kundërvënë Kinës.