Vështrime

Gjeopolitika e natyrës

Natyra dhe klima do të jenë pjesë e gjeopolitikës së re, për mirë ose për keq. Alternativa për një qasje më gjithëpërfshirëse nuk është progresi më i ngadalshëm, por potencialisht asnjë progres fare. Ashtu siç Rusia ka ridrejtuar eksportet e saj të energjisë drejt vendeve që nuk kanë përqafuar sanksionet perëndimore, eksportuesit e ushqimit, të cilët po përballen de fakto me “sanksione” të shpyllëzimit nga BE-ja, thjesht mund të gjejnë blerës të rinj për mallrat e tyre. Në situata të tilla, të gjithë humbasin, përfshirë edhe natyrën

Gjenevë – Nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës te rivaliteti i Amerikës me Kinën, ndryshimet gjeopolitike tektonike kanë tronditur multilateralizmin vitet e fundit. Ndërsa shumë nga pasojat - nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë deri te rreziqet në rritje të konflikteve të mëdha - janë diskutuar gjerësisht, më shumë vëmendje duhet t'u kushtohet implikimeve të këtyre ndryshimeve për përpjekjet për të trajtuar krizën e shumanshme të klimës dhe natyrës.

Ndryshimi gjeopolitik që po përjetojmë tani kërcënon të ndajë rendin botëror në dysh. Një shenjë kryesore e kësaj është vendimi i pjesës më të madhe të Jugut Global për të mbështetur - ose të paktën të refuzojë të dënojë - pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar dhe ndëshkuar Kremlinin.