Vështrime

NATO-ja në Kosovë deri sa Kosova të hyjë në NATO

Ka arsye të kritikohet misioni i KFOR-it në Kosovë, sidomos për mosmbrojtjen e gazetarëve dhe për dështime të tjera në kryerjen e mandatit për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë. Por politikanët e Kosovës, pa marrë parasysh a komunikojnë përmes rrjeteve sociale apo brenda institucioneve, duhet të përmbahen nga fyerjet, përqeshjet dhe sulmet verbale ndaj forcave të NATO-s. Politikanët e përgjegjshëm duhet ta dinë se ata nuk janë analistë, as komentatorë dhe nuk e gëzojnë nivelin e njëjtë të lirisë së shprehjes pasi kanë përgjegjësi politike, institucionale e zyrtare, e jo vetëm personale për fjalën e tyre

Për vite prania e NATO-s në Kosovë, më saktësisht misioni i KFOR-it, ka qenë misioni që e ka besimin më të madh të qytetarëve, pa marrë parasysh se cilën përkatësi etnike kanë. Kjo, mes të tjerash, edhe për faktin se KFOR-i është forcë, e forcës i besohet, por nga forca disa edhe kanë frikë. Nuk ka qenë e vështirë për KFOR-in të mbajë këtë nivel të besimit krahasuar me misionet e tjera jo edhe aq të suksesshme, nga administrata e UNMIK-ut e deri te misioni i EULEX-it. Edhe sot, kur ka një situatë të acaruar në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet çfarë bën EULEX-it. Ku është ai. Ku është “responderi i dytë!”. Misioni i EULEX-it vërtet është reduktuar në Kosovë. Kjo edhe me kërkesë të Kosovës, pasi janë zhvilluar institucionet shtetërore të gatshme për të marrë përgjegjësitë nga ky mision në fushën e rendit dhe ligjit. Dhe EULEX-i në Kosovë u reduktua pothuajse në detyra kryesisht të shqiptarëve, të akuzuar, të dyshuar apo të kërkuar si dëshmitarë për Gjykatën Speciale në Hagë.

Por akoma janë në fuqi aranzhimet e sigurisë mes forcave në Kosovë në raste të sfidave. Sipas atyre aranzhimeve “responderi” i parë është Policia e Kosovës. Në rast se kërcënimi rritet dhe paraqitet nevoja, ndërhyn edhe EULEX-i si “responderi i dytë” dhe vetëm në raste të rralla do të ndërhynte KFOR-i si responderi i tretë. Por në trazirat e fundit nuk u pa shumë EULEX-i. Ky “responderi i dytë” pothuajse u zhduk. Prandaj u desh angazhimi më i madh i KFOR-it për të kryer detyra që për nga natyra nuk janë ushtarake. Dhe nuk e kryen mirë këtë detyrë. Ndoshta do të ishte edhe më keq sikur KFOR-i të mos kishte ndërhyrë, por ushtarët nuk janë të stërvitur për kontrolle të tilla të turmave, prandaj edhe aq shumë ushtarë të KFOR-it pësuan nga protestuesit e dhunshëm serbë e jo nga “serbët paqësorë duarthatë”, siç pretendon Beogradi. Dhe KFOR-i në veri të Kosovës nuk ishte në gjendje të mbronte as gazetarët e ka raporte që as nuk ka dashur t’i mbrojë. Mund të kuptohet se ndoshta as kjo nuk është detyrë formale e tyre, por në mungesë të “responderit të parë“ (Policisë së Kosovës) dhe “responderit të dytë” (EULEX-it), ata ushtarë ishin të vetmit dhe është dashur të ndërhynin.