Vështrime

Pse vazhdon të injorohet nga BE-ja mendimi i GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Edhe 13 vjet prej kur GJND-ja, autoriteti suprem në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare, dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të OKB-së, vazhdon të injorohet ky mendim nga Bashkimi Evropian. Jo vetëm Serbia, por edhe zyrtarë të BE-së dhe shtetet e saj anëtare vazhdojnë të flasin për “të drejtën ndërkombëtare” kur kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Dialogu, në të cilin Kosova hyri si pula pa kokë, pa qëllime të qarta, ndikoi që vëmendja nga njohjet pas mendimit të GJND-së të kthehet në nevojën që Kosova të pajtohet së pari me Serbinë, në mënyrë që të njihet pastaj nga të tjerët dhe të integrohet në strukturat ndërkombëtare

Disa zyrtarë të BE-së, ndoshta të ndikuar nga eprorët e tyre që vijnë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, vazhdojnë të përdorin termin “Deklarata unilaterale e pavarësisë së Kosovës”. Madje disa prej tyre shkojnë aq larg në biseda private, saqë thonë se “kjo shpallje e njëanshme e pavarësisë është burimi kryesor i të gjitha problemeve të sotme”. Dhe kur i pyesim se pse përdorin termin “Shpallje e njëanshme e pavarësisë”, përgjigjen: “Sepse ka qenë e njëanshme, pasi nuk ka qenë në pajtim me Beogradin”. Pra ata që deri më 22 korrik të vitit 2010 mbronin parimin se “nuk mund të krijohet një shtet në territorin e një shteti ekzistues pa pajtimin e atij shteti” vazhdojnë edhe sot ta kenë atë qëndrim. Një shkollë të tillë të të menduarit e kanë pasur, e le të thonë vetë nëse akoma e kanë apo jo, edhe përfaqësuesi i sotëm i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Për këtë të fundit, kur Ministria e Jashtme të cilën ai e udhëhiqte kishte dërguar argumentet kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Hagë, një ish-diplomat i lartë i një vendi tjetër të BE-së me ironi pati thënë se “po shihet se ka studiuar në institutin shtetëror të Moskës!”.

ky argument ishte hedhur poshtë. Shumë shtete kishin argumentuar se gjatë historisë ka pasur shumë raste që shtete janë krijuar në territorin e një shteti ekzistues pa pajtimin e atij shteti. Kundër argumentit se Kosova nuk ka guxuar të shpallë pavarësinë pa pëlqimin e Beogradit ishte përmendur edhe rasti i shpalljes së pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë. Për të mos shkuar më larg ishin përmendur pikërisht këto dy shtete. Kur në Zagreb dhe Lubjanë kishin shpallur pavarësinë, Beogradi, si kryeqytet i Jugosllavisë, nga e cila ato shkëputeshin, jo vetëm se ishte shprehur kundër, por kishte dërguar ushtrinë për t’i ndalur ato.