Vështrime

Me ambiguitetin destruktiv, BE-ja vetë e fundosi dialogun, e tash sanksionon Kosovën

Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka qëllim të qartë. Nëse BE-ja do vërtet të arrijë sukses në dialog, duhet të heqë disa dilema. Duhet ta bëjë të qartë se Kosova, e njohur apo jo nga Serbia dhe 5 vende të BE-së dhe 4 të NATO-s, është shtet. Duhet të thotë se dialogu nuk është për status, por për normalizim raportesh mes dy vendeve. Dhe këtë duhet ta thotë jo vetëm në Bruksel, Prishtinë e Berlin, por edhe në Beograd, Bratislavë, Madrid e Athinë. Duhet të thotë qartë se duhet të sigurohen të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë, përfshirë edhe Asociacioni, por kjo duhet të ndodhë në Kosovën si shtet, ku qytetarët do të kenë edhe të drejtat, por edhe obligimet si shtetas të saj

Kur kishte nisur dialogu para gati 13 vjetësh, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që u vendosën në pozitën e lehtësuesit zgjodhën të kenë si parim në qasje atë që u quajt në fjalorin diplomatik si “ambiguiteti konstruktiv”. Tash 13 vjet më vonë kjo qasje mbetet. Por ajo ka dëshmuar të jetë destruktive më shumë sesa konstruktive. Ka krijuar më shumë probleme sesa që i ka zgjidhur. Në vend që t’i sqarojë gjërat i ka bërë edhe më pak të qarta. Në vend që të ndihmojë në njohjen e realitetin ka krijuar edhe më shumë iluzione. Dhe në fund me këtë qasje vetë BE-ja e ka fundosur dialogun, deri në atë masë që të flitet për një mundësi të një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Pra ky dialog për “normalizim” e ka arritur të kundërtën, i ka bërë raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe më pak normale sesa që ishin para dialogut. E ku ka më pak normalitet sesa aty ku flitet për luftë.

Me “ambiguitetin konstruktiv” në BE kanë menduar në lënien e qëllimshme të mundësive për palët që, sipas nevojave, t’ia prezantojnë opinionit të tyre përkatës në mënyra të ndryshme gjërat. Këtë qasje e kishin zgjedhur bashkëpunëtorët më të ngushtë të baroneshës Catherine Ashton në mandatin e së cilës në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së kishte nisur dialogu. Gjithçka në atë proces kishte dykuptimësi apo shumëkuptimësi. Vetë fjala “lehtësues” (fasilitator) ishte zgjedhur qëllimisht për të mos thënë se BE është “ndërmjetësuese” (mediator). Sepse ndërmjetësohet mes palëve të barabarta, e për BE-në Kosova e Serbia nuk ishin, e nuk janë as sot formalisht, palë të barabarta. Sepse Serbia për BE-në është shtet e Kosova nuk është. Edhe vet dialogu për të njëjtën arsye është quajtur si dialog mes “Beogradit dhe Prishtinës”, po ashtu qëllimisht për të pasur kuptime të ndryshme dhe për të mos përmendur emrat e shteteve. Asnjëherë në Bruksel nuk i kemi parë duke u takuar Kryetarët e këtyre dy qyteteve. Ai është emëruar ashtu, për shkak se Serbia dhe 5 shtete të BE-së nuk pranojnë se Kosova ekziston si shtet. Qeveria e Serbisë vazhdon edhe pas 13 vjetësh të pretendojë se po bën dialog me “përfaqësuesit e Prishtinës”, apo “përfaqësuesit e shqiptarëve” apo me “autoritetet vetëqeverisëse nga Prishtina sipas Rezolutës 1244”. E ky emërtim ishte një zgjidhje e mirë edhe për BE-në, sepse me këtë u adresuan shqetësimet e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Pa marrë parasysh shumë parulla që janë dëgjuar nga shumë liderë të Kosovës se këto vende “po lëvizin”, asnjë milimetër nuk kanë lëvizur ato. Kjo u pa edhe në votimin e tyre në Këshillin e Evropës për nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës ku asnjëra prej tyre nuk votoi në favor, dy abstenuan dhe tri votuan kundër. U pa edhe në shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE kur ish-presidenca suedeze nuk arriti të krijojë konsensus për të bartur mandatin te Komisioni Evropian për të vazhduar procedurën. Ambiguiteti mbeti dhe kjo u shërbeu më shumë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën sesa atyre që e kanë njohur, edhe pse shumica e madhe e ka njohur.