Vështrime

Serbia e sotme nuk do distancim, por arsyetim të politikës së Millosheviqit

Pritjet nga viti 2000 se Serbia do të largohet nga e kaluara e errët e periudhës së Millosheviqit jo vetëm se nuk janë realizuar, por Serbia e sotme është kthyer prapa. Dhe për këtë Beogradi po orkestron një unitet të serbëve në rajon në tentim për relativizimin e krimeve, revizionizëm historik dhe krijim të përshtypjes se vetëm serbët ishin viktima e Serbia nuk i kishte bërë askujt asgjë. Kjo “luftë për të kaluar më të mirë” e Serbisë po e shfrytëzon edhe indiferencën e bashkësisë ndërkombëtare

Kroacia këto ditë shënoi përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme në historinë e saj, atë të operacionit “Oluja” (Stuhia), me të cilin në vitin 1995 çliroi një pjesë të madhe të territorit të saj, të cilin e kishin okupuar forcat serbe. Ndonëse edhe atëherë edhe sot, Beogradi pretendon se konflikti në Kroaci ishte ose “luftë qytetare” ose “represion i Kroacisë kundër qytetarëve duarthatë të pafajshëm serbë”, fakt është se strukturat ushtarake dhe policore të serbëve në Krajinë ishin krijuar, financuar dhe udhëhequr nga Beogradi. Për këtë së fundi është shpallur edhe një dënim fuqiplotë për krime lufte ndaj Jovica Stanishiqit, ish-shefit të sigurimit të Serbisë. Në këtë verdikt u konfirmua se Serbia ka pasur rol në krimet që i kanë kryer forcat serbe edhe në Kroaci.

Kroacia me krenari shënon këtë datë, kujton heronjtë dhe ata që dhanë jetën për çlirimit e atdheut. Por gjithnjë e më shumë analizon edhe rrethanat që çuan deri te ky operacion e edhe pasojat. Një operacion të suksesshëm ushtarak në Kroaci e njollosën ata që bënë krime kundër serbëve pas këtij operacioni, duke ua djegur shtëpitë disave, duke vrarë dhe përndjekur disa serbë që kishin vendosur të rrinin në shtëpitë e tyre. Për këtë, Kroacia pati pasoja të mëdha, përfshirë edhe sanksione të gjata politike gjatë të cilave në Perëndim refuzonin të takonin udhëheqës politikë të Kroacisë, ndërsa rrugëtimi Evropian i Kroacisë ishte i bllokuar. Më të avancuara në proceset e integrimit evropian ishin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.