Vështrime

Ka kaluar koha e pushimeve të lira në det

Shqipëria është shtrenjtuar më shumë se çdo vend tjetër për pushime vjetore në det, por akoma është më e lira. Për fat të keq, rritjen e madhe të çmimeve në Shqipëri, më së shumti për shkak të rritjes së lekut, nuk e ka përcjellë rritja e kualitetit. Në Shqipëri ka shumë përparim në infrastrukturën rrugore, mbledhje mbeturinash, ndërtim të restoranteve dhe hoteleve. Por ndërkohë, janë rritur çmimet, zvogëluar porcionet dhe janë dobësuar shërbimet. Para se të mendojë për „turizëm elitar”, Shqipëria duhet të sigurojë kushte dhe shërbime për turizëm mesatar

Njerëzit kursejnë gjatë vitit për të shkuar në pushime e nuk shkojnë në pushime për të kursyer. Ka kaluar koha kur shumë njerëz, sidomos nga perëndimi, ka shkuar për pushime në vendet ku çmimet ishin aq të lira saqë ata edhe pushonin edhe kursenin. Të tilla kanë qenë para shumë vjetësh Portugalia dhe Spanja, më vonë Kroacia e së fundi edhe Shqipëria. Në Gjermani, Itali e disa vende tjera merrnin edhe pushim pa pagesë për të qëndruar më gjatë në det. Sepse edhe kënaqeshin dhe u dilte më lirë. Jo shumë kohë më herët edhe nga Kosova kanë ditur të shkojnë në Shqipëri në det, sepse ishte më lirë sesa në vendin e tyre.

Turistët nga perëndimi duhet ta kuptojnë se edhe globalizmi ka bërë që dallimet të zvogëlohen deri në zhdukje. Në shumicën e vendeve të bregdetit e Kroacisë, sot çmimet nëpër lokale janë pothuajse të njëjta sikur në Berlin, Vjenë apo Bruksel. Në disa vende si Dubrovniku, Rovinji apo Hvari edhe më të larta. Mediat në Gjermani janë mbushur këtë verë me raporte se sa shumë është shtrenjtuar Kroacia. E zyrtarë të Bashkësisë Turistike të Kroacisë si argument mbrojtës kanë marrë faktin se „nuk është më lirë as në Itali“. Por, sado i bukur të jetë deti kroat, shumë njerëz për të njëjtin çmim do të shkonin ndoshta më parë në Itali sesa në Kroaci. Sidomos duke pasur parasysh se pak ka evropianë sot që nuk kanë qenë së paku një herë në pushime në Kroaci.