Vështrime

Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në zhvillimin në Kosovë

Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në zhvillimin në Kosovë
Foto: Person me aftësi të kufizuara fizike shfrytëzon transportin publik me qasje të përshtatur

Personat me aftësi të kufizuara e dinë më së miri se çka funksionon për ta dhe çka jo. Megjithatë, ata mbeten vazhdimisht jashtë proceseve vendimmarrëse. Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në dizajnin e projekteve është esenciale për të maksimizuar ndikimin dhe për të siguruar që zgjidhjet e arritura të jenë vërtet gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese të nevojave të tyre

Gati 100,000 qytetarë në Kosovë – rreth 8% e popullsisë së përgjithshme – jetojnë me ndonjë formë të aftësisë së kufizuar. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me pabarazi dhe barriera me rrënjë të thella në sistem, duke i bërë një nga grupet më të cenueshme dhe më të përjashtuar nga shoqëria në Kosovë. Ata janë në risk më të lartë të bien në varfëri, të kenë rezultate më të dobëta shëndetësore dhe arsimore, si dhe kanë më pak mundësi punësimi sesa personat me aftësi të plota. Rreth 38,000 fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës shkollore nuk janë në shkollë dhe vetëm 15% e personave me aftësi të kufizuara të moshës 15-64 vjeç janë të punësuar.

Gratë dhe pakicat etnike me aftësi të kufizuara përballen me barriera shtesë dhe të mprehta në qasjen në shërbime dhe mundësi për shkak të shtresave të shumta të diskriminimit dhe normave kufizuese kulturore. Pjesëtarët me aftësi të kufizuara në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas, kanë dukshëm më pak vjet mesatare të arsimit (me 45% që nuk e kanë frekuentuar kurrë shkollën), duke i reduktuar ose fshirë kështu shanset e tyre për punësim. Për më tepër, stereotipat dhe qëndrimet negative të publikut mbështesin diskriminimin, dhunën dhe abuzimin në baza të aftësisë së kufizuar. Sipas raportit të një ankete të OSBE-së për dhunën ndaj grave të kryer në vitin 2019, 41% e grave kosovare me aftësi të kufizuara kanë përjetuar abuzime në 12 muajt para anketës.