Vështrime

Në dialog ku flitet për rrugën përpara nuk duhet të ecet prapa

Nëse nuk duket real opsioni sipas të cilit tash Lajçak dhe Borrell në vitin e fundit të mandatit do të mund të flasin për sukseset në dialog, atëherë a duhet pritur skenarin e dytë. E ai është që në vitin e fundit të mandatit të kërkohet një zgjidhje në momentin e fundit. Kjo duket e domosdoshme dhe mund të arrihet nëse ka vullnet politik dhe mbështetje nga qarqet kryesore, e ato janë Berlini, Parisi dhe Washingtoni. Akoma ka kohë që BE-ja ta shpëtojë atë që vetë e ka quajtur Marrëveshje. Prandaj fokusimi në shpëtimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit duhet të jetë synimi kryesor nga 1 shtatori e tutje i BE-së

Rrafsh edhe një vit ka mbetur deri te përfundimi i mandatit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Përafërsisht e njëjta kohë ka mbetur edhe deri te fundi i mandatit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, varësisht nga shpejtësia me të cilën vendet anëtare dhe partitë kryesore politike evropiane do të bien dakord pas zgjedhjeve të qershorit për ndarjen e posteve kryesore në BE. Vitet e fundit të mandateve në poste udhëheqëse në BE apo në misionet e posaçme siç është dialogu Kosovë-Serbi zakonisht mund të ketë dy pamje. E para, ajo më e dëshirueshme, do të ishte ajo e rekapitullimit dhe forcimit të sukseseve, sigurimin e rrethanave për qëndrueshmërinë e arritjeve dhe ndërtimin e një baze të fortë për ecjen përpara duke ndërtuar mbi ato arritje. E dyta, më pak e dëshirueshme është ajo e kërkimit të shpëtimit të procesit dhe një rezultati në momentin e fundit. Skenari i parë nuk ka ndodhur. Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të kenë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, në përputhje me standardet evropiane, e cila do t’i zgjidhte të gjitha mospajtimet e hapura mes tyre”, siç e përkufizonte BE-ja synimin në fillim të vitit 2020 kur dihej se Miroslav Lajçak do të jetë EUSR i parë i cili do të merrej 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, me punët e dialogut. Dhe kjo detyrë për Lajçakun ishte përmendur nga ata që ia dhanë mandatin, madje duke besuar me optimizëm të madh se ky synim do të arrihej “brenda disa muajsh e jo vitesh”. Kjo kohë e shkurtër që mendohej se do të mjaftonte për të arritur “marrëveshjen finale” arsyetohej me pohimet se “askush më nuk ka kohë për të humbur” dhe se “status quoja nuk është më e qëndrueshme”. Besimi në atë kohë ishte aq i madh, saqë në qarqet diplomatike pohohej se Serbia jo vetëm se do ta njohë Kosovën, por do të kërkohej edhe nga Rusia që të mos e pengojë anëtarësimin e saj në OKB.

Tash a ka pasur sukses apo jo pas më shumë se tre vjetësh dialogu prej kur timonin e mori Lajçaku varet nga besimi apo jo në atë që thuhet se është arritur si marrëveshje. Nëse besohet se ajo që BE-ja e quan marrëveshje vërtet ekziston, dhe se ajo i obligon palët, atëherë nuk mund të thuhet se ka pasur dështim. Sepse ka një tekst që thotë se palët do të duhej të ndërtonin raportet në bazë të trajtimit të barabartë, të respektojnë territorin e njëri-tjetrit, të vendosin raporte përmes misioneve të përhershme, të mos e pengojë Serbia anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare e shumë të tjera që, ndonëse nuk janë tërësisht në përputhje me synimet, megjithatë do të ishin një hap i madh afër tyre. Por BE-ja lejoi që Serbia të mos e nënshkruajë Marrëveshjen, lejoi që pa pasoja të mos e zbatojë atë, e toleron edhe talljen që asaj “marrëveshjeje” ia bën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të rikujtojmë vetëm thënien e tij se “ka pasur dhimbje në dorën e djathtë” prandaj nuk e ka nënshkruar. Ndërsa me ton më serioz Vuçiq, madje duke i pyetur disa ekspertë të drejtësisë se a është ashtu, ka thënë se ai nuk ka nënshkruar, as pranuar, e as miratuar asnjë marrëveshje që do ta obligonte në ndonjë mënyrë Serbinë as tash e as në të ardhmen. Ka thënë se ai vetëm “është pajtuar me një koncept për normalizimin e raporteve, nga i cili diçka do të zbatojë e diçka jo”. Ka shtuar se “BE-së i është thënë qartë se çka nuk do të zbatojmë”. Në pohimet e BE-së se marrëveshja pa dyshim ekziston dhe është ligjërisht obliguese, Vuçiq vetëm ka përsëritur se “ata mund të thonë çfarë të donë”. Jo rrallë i ka quajtur zyrtarët e BE-së dhe zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë si “hipokritë” dhe “gënjeshtarë”. Tash është vështirë të thuhet se ekziston diçka për të cilën vetë njëra palë thotë se nuk ekziston. Së paku jo në formën që BE-ja pretendon. E çfarë thotë Vuçiq është më e rëndësishme për fatin e procesit sesa çfarë thonë Lajçak dhe Borrell. Sepse këta dy të fundit, siç edhe ndodh në organizatat që funksionojnë me profesionalizëm dhe parime demokratike, do të largohen e Vuçiq do të mbetet. E Vuçiq do të presë zyrtarë të tjerë me të cilët do të luajë lojën e tij, duke shtyrë aq sa mundet e aq sa do t’i lejohet arritjen e marrëveshjes finale me Kosovën, e cila, për këtë pajtohen pothuajse të gjithë në BE, duhet të nënkuptojë edhe njohjen e ndërsjellët.