13 miliardë tonë linjit, 59 milionë tonë plumb dhe zink, 13 milionë tonë nikel, 4.1 milionë tonë magnezitet dhe 2.7 milionë tonë boksit, vlerësohen të jenë rezervat nëntokësore të Republikës së Kosovës. Organi i përcaktuar me Kushtetutë për menaxhim të kësaj pasurie është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Ky organ, përgjegjës për menaxhimin e 1 miliard dollarëve rezerva shtetërore aq sa edhe vlerësohet të jetë kjo pasuri, tashmë është më se i spikatur nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me menaxhimin joefikas të operimeve ilegale të shumë gurëthyesve, borxheve të shumta, dobësi në prokurim dhe realizim jo të mirë të buxhetit. Në të njëjtën kohë, sipas raporteve vjetore të KPMM-së, buxheti i aprovuar dhe shpenzuar ndër vite është rritur për 3.08% duke ndikuar kështu rritje të performancës së këtij institucioni.
Sot shqetësues është fakti që, pothuajse që më së gjysmë viti, kjo agjenci për një arsye apo tjetrën është duke frymuar pa bord drejtues: Qindra aplikacione të pashqyrtuara, miliona investime të bllokuara, miliona tonë rezerva të pashfrytëzuara! Sipas ligjit, kjo agjenci, si të gjitha organet e tjera të pavarura, duhet të raportojë në mënyrë të rregullt te Kuvendi lidhur me të gjitha aktivitetet e saj përfshirë çështjet e personelit të saj, organizimin dhe çështjet administrative. Me këtë rast, ku ishte Kuvendi kur gradualisht eksportuesit më të madh në Kosovë iu “fal” kjo shumë parash? Sa mund të jemi të sigurt që edhe në këtë moment institucionet tona nuk janë duke “dhuruar” shuma parash publike duke u treguar pa dashje “bamirëse” kur paralelisht një mori ndërmarrjesh ende kanë borxhe të papaguara? Beteja e famshme për llogaritjen “e me të lagët apo më të terur” me gjithë gjasat nuk do të jetë e fundit: Aktet nënligjore vazhdojnë të mbeten të njëjta! Sipas bordit, mbrapa kësaj akuze qëndrojnë disa deputetë të caktuar të cilët qëllimisht janë duke neglizhuar një dokument të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Ky dokument kishte për qëllim shkarkimin e kryesueses së Bordit për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, ani pse, atë kohë edhe sot, nuk është organi i vetëm i cili drejtohet nga një person i cili ka kaluar në moshë të pensionimit. Sipas Ligjit bazik për Minierat dhe Mineralet, shkarkimi i anëtarëve të Bordit nga Kuvendi bëhet për arsye të ndryshme kryesisht me natyrë konflikt interesi, mosha as që përmendet fare. Për më tepër, me ndryshimin e këtij ligji, po në të njëjtin muaj, të shkarkuarit, nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë këtë vendim deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Njëkohësisht, Qeveria e cila “mbështetur në ligjin” vetë propozon, miraton dhe duhet të sigurojë që ligjet janë duke u zbatuar në të mirën e Republikës së Kosovës, për më se gjysmë viti kishte zvarritur të ardhmen e bordit, dukë lënë një agjenci të tërë pa vendimmarrje. Sektori minerar pa zot shtëpie: Rrugë më se e drejtë drejt zhvillimit ekonomik! Që nxitja e investimeve të huaja në Kosovë mbetet për të dëshiruar tashmë është më së e kuptueshme, mirëpo tani e kemi të sigurt: As qeveria nuk po bën mjaftueshëm për nxitjen e tyre. Ndryshime në përllogaritje të borxhit, modifikime ad-hoc në legjislacion, marrje të vendimeve mbi ligjin në fuqi, agjenci pa borde vendimmarrëse, mbi 200 licenca të pashqyrtuara – sigurt, fajtori mbetet të shpallet nga organet kompetente gjyqësore. “CorrWatch” nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm, synon që t’i shtyjë Qeverinë dhe Kuvendin që të veprojnë sa më shpejt në adresimin e çështjeve korruptuese kundër krimit të organizuar duke evituar vendimmarrjet partiake që nuk i plotësojnë kriteret profesionale e ligjore. Mbetet të shihet se sa vullnetmirë/bashkëpunuese reflektojnë të jenë ato.
(Ky publikim është pjesë e nismës "Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.