Vështrime

Në mes të cinizmit dhe shpresës

Gjëja e fundit që i duhet procesit të zgjerimit është një premtim i ri për t’u zhgënjyer. Prandaj ato për çfarë rajoni ynë ka nevojë nuk janë fjalimet e bukura diplomatike, por vendimet e vështira politike

Po të kishin qenë erërat e historisë vetëm pakëz më ndryshe, për emrin e Charles Michelit nuk do të kishim dëgjuar kurrë. Në vitin 2014 ai u bë rastësisht kryeministër belg falë unikalitetit të sistemit politik belg, me ç’rast Charlesi përfitoi nga fakti që pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve fituesi i zgjedhjeve nuk arriti ta formonte qeverinë. Të bllokuar dhe pa shpresë koalicioni qeverisës u dakordua mbi emrin e Charles Michelit si zgjidhje kompromisi. I njëjti fat i shërbeu Charlesit edhe për zgjedhjen në pozitën e presidentit të Këshillit Evropian në vitin 2019. Ai u pa si kandidat ideal për shkak të dobësive të tij Van Rompuiane: i urtë, pa karizëm dhe pa peshë politike ishin cilësitë që e bënë atë kandidat të përsosur konsensual për pozitën anemike dhe ceremoniale të presidentit të Këshillit Evropian.

Por asgjë nga kjo nuk ka rëndësi, sepse nga java e kaluar kanalet e historisë së procesit të zgjerimit do të mbajnë mend Charles Michelin për zotimin e tij se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE deri në vitin 2030. Mandarinët brukselianë do të më korrigjojnë se Michel në fakt nuk ka thënë se rajoni duhet të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030, porse të dyja palët “duhet të janë gati” për anëtarësim deri në vitin 2030, por duke lënë këto fizkultura diplomatike anash, në thelb po flasim për të njëjtën gjë. Rrjedhimisht shikuar nga çfarëdo këndvështrimi, kjo është deklaratë e rëndësishme. Është hera e parë në historinë e procesit të zgjerimit që një përfaqësues i lartë i BE-së vendos një datë për anëtarësimin e rajonit tonë në BE. Dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja është hera e parë kur kjo deklaratë vjen nga një sfond i paprecedent politik për zgjerimin e BE-së.