Vështrime

Paqartësi rreth angazhimit të policisë nuk duhet të ketë, sepse nxit tensione

Nëse çfarëdo njësie e Policisë së Kosovës kufizohet të veprojë në ndonjë pjesë të Kosovës, kjo do të thoshte kthim i opsionit për ndarje të Kosovës. Kjo shkon edhe kundër frymës së dialogut në të cilin synohet që serbët e Kosovës të jenë tërësisht të integruar në sistemin policor të Kosovës. Do të ishte mirë sikur në njësitë speciale policore të Kosovës të ketë serbë të Kosovës, por nëse për shkaqe të ndryshme nuk ka, ose nuk do të ketë, kjo nuk duhet të thotë se njësitë policore nuk mund të shkojnë në veri

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shkaktuar shumë reagime me një deklaratë ku ka përmendur nevojën për koordinim edhe në rastet kur Kosova në veri të dërgojë njësitë speciale të policisë. Ai këtë e ka përmendur në një fjali ku përmendi aranzhimet që Kosova dhe NATO-ja i kishin dakorduar në vitin 2013 rreth nevojës për të pasur një pajtim paraprak me komandantin e KFOR-it në rast se Kosova do të dislokojë njësi të FSK-së në veri. Mbeti e paqartë ajo që tha Stoltenberg dhe pa dyshim se do të përdoret nga Serbia për të vazhduar propagandën me thirrjet se “nuk ka çfarë të kërkojë policia e Kosovës në veri”. Por edhe në këtë deklaratë ai nevojën për pajtimin paraprak nga komandanti i misionit të NATO-s e përmendi në rastin e FSK-së, ndërsa në rastin e njësive policore tha se duhet të ketë koordinim për gjithçka që ka të bëjë me çështje të sigurisë.

Gjithsesi duhet pasur shumë kujdes kur përmenden detyrat e policisë, sepse puna e saj në parim nuk do të duhej të politizohej. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin se tensionet në Kosovë më së shumti u rriten pasi, në koordinim me Beogradin, serbët në veri e lëshuan Policinë e Kosovës në mënyrë demonstrative. Pas kësaj, për të mos lejuar zbrazëtirë, Kosova rriti numrin e policëve dhe pasi vlerësoi se situata e sigurisë është e ndjeshme, angazhoi dhe njësi speciale të Policisë. Përderisa Kosova ta konsiderojë veten si shtet nuk duhet të lejojë që të ketë pjesë të territorit të saj ku nuk guxon të dërgojë njësi policore, çfarëdo njësie të jenë ato.