Vështrime

Shkuarja e një mitingashi

Në Serbi vdiq e u varros Mirosllav Sholleviqi, dikur emisari kryesor i Sllobodan Millosheviqit për nxitjen e urrejtjes dhe ashpërsimin e represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Përmes biografisë së tij mund të kuptohet edhe më qartë krejt vampirizmi politik serb i viteve ‘80 dhe ‘90

Mediat serbe njoftojnë se ditë më parë ka vdekur në Nish Mirosllav Sholleviqi. Në vitet 1980 Sholleviqi ka qenë mitingashi kryesor i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe emisari i tij për nxitje të urrejtjes kudo në Jugosllavinë socialiste. Në fillim të prillit, të 1989-s, revista gjermane “Der Spiegel” shkruante se emisari i Millosheviqit, Mirosllav Sholleviq, po përpiqet të nxisë pakicën serbe në Bosnjë kundër shumicës myslimane. Sholleviq, me banim në Fushë-Kosovë, ishte i pranishëm kur Sllobodan Millosheviqi gjatë vizitës në Kosovë më 1987 iu drejtua serbëve me fjalët: “Askush s’guxon t’ju rrahë”.

Kjo fjali u bë parullë e shumëcituar dhe i parapriu ashpërsimit të fushatës represive kundër shqiptarëve të Kosovës. Sholleviq drejtoi Lëvizjen Serbe të Rezistencës, një organizatë për mobilizimin e serbëve për projektin e Serbisë së Madhe.