Vështrime

Dy goditje në një fuçi - dhe nisi festa më e madhe në botë

Në München është hapur “Oktoberfest”, festa më e madhe jo vetëm e birrës në botë. Një refleksion (deri diku) retrospektiv

Dieter Rieter e goditi dy herë fuçinë e drurit dhe prej saj filloi të rrjedh birrë. Me këtë akt simbolik kryetari i qytetit të Münchenit e hapi të shtunën “Oktoberfestin”, hallakamën më të madhe gazmore në botë, ku rrjedhin lumenj të pijes së prodhuar nga elbi i tharbëtuar. Festa e sivjetme është e 188-ta me radhë.

Për herë të parë portat e kësaj feste u hapën në vitin e largët 1810. Atëherë ishte gjallë edhe Goethe, poeti më i madh gjerman i të gjitha kohërave (këtu mund të zemërohen adhuruesit e Schillerit, por një birrë mund t’ua qetësojë nervat). Për Goethen dihet se ka qenë birrëpirës i pasionuar, shpesh citohen fjalët e tij: “Birrat na shijojnë, librat kokëçarje na shkaktojnë!”