Vështrime

Dialogu më 14 shtator hyri në qorrsokak

Në anglisht i thonë “deadend”, por edhe në shqip, edhe në serbisht përdoret fjala “qorrsokak” për hyrje në një rrugë e cila nuk çon tutje. Këtu ka hyrë procesi i dialogut më 14 shtator, pas dështimit të takimit në Bruksel. BE-ja fajëson të dyja palët për shkelje të obligimeve nga Marrëveshja. Kosovën e fajëson për refuzim të kompromisit. Por edhe propozimi i BE-së shënon një shkelje serioze të Marrëveshjes dhe dëshmon heqjen dorë nga insistimi që ajo të zbatohet pa vonesa dhe pa kushte në tërësi

Me një bindje shumë të madhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli i pari para gazetarëve në Bruksel pas dështimit të një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, me të cilin ndërmjetëson Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se “BE-ja dhe Borrell do të jenë shumë të qartë dhe objektiv” në atë që do të thonë. Dhe vërtet shefi i diplomacisë së BE-së dha konstatimin e njëjtë me atë të presidentit të Serbisë se “propozimin e kompromisit” që paraqiti BE-ja e ka pranuar Serbia dhe e ka refuzuar Kosova. Nuk është hera e parë që zyrtarët e BE-së thonë pikërisht atë që presidenti i Serbisë e paralajmëron se do ta thonë. E kanë bërë këtë edhe në të kaluarën. Duket sikur ata vërtet konsultohen edhe rreth asaj se cilin diskurs publik do ta mbajnë. Që dëshmon për një nivel të latë të besimit mes tyre. Në anën tjetër është bërë shprehi që përfaqësuesit e Kosovës pas takimeve të dialogut të presin, të shohin çfarë do të thotë pala serbe, çfarë do të thotë BE-ja e pastaj flasin ata. Kjo dëshmon një ndjenjë të pasigurisë dhe mosbesimit. Ky mosbesim doli për herë të parë në shesh publikisht kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi lehtësuesin e BE-së se kushtëzimin e Serbisë e ka përfillur dhe shndërruar në qëndrim të Bashkimit Evropian. Dhe si pasojë ai nuk ka mundur të bëjë asgjë tjetër pos të refuzojë, pasi këtë qëndrim e ka obligim si kryeministër i Republikës.

Lehtësuesve të BE-së u mbeti shumë hatri në sjelljen e Kosovës. Shumë u zemëruan se Kosova bëri publike një propozim të palës tjetër, atë të Serbisë, duke thënë se “nuk ka ndodhur asnjëherë në dialog që njëra palë të nxjerrë dokumente të palës tjetër”. Por duket se me bërjen publike të propozimit të Serbisë, Qeveria e Kosovës deshi të argumentonte akuzat e saj për lehtësuesit e BE-së që po akomodojnë kërkesat dhe interesat e Serbisë. Dhe për të parë se sa janë marrë parasysh ato kërkesa në propozimet e Bashkimit Evropian. Për më tepër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli e tha se vetëm ai, pa thënë pala kosovare, në takime ka dhënë propozime konkrete.