Vështrime

Dialogu ose ka përfunduar me marrëveshje ose ka dështuar tragjikisht

Edhe para sulmeve terroriste në Banjskë, në vetë BE u tha se “nuk ka më negociata në dialog”, sepse “ato kanë përfunduar me marrëveshjen në Bruksel dhe aneksin në Ohër”. Dhe se tash “diskutohet vetëm për implementimin”. Por ky sulm dëshmoi se duhet një përgjigje e shpejtë se a ka përfunduar dialogu me marrëveshje apo ka dështuar tragjikisht. Sepse kaosi në interpretime që kanë krijuar Borrelli dhe Lajçaku ka çuar në situatë ku Milan Radoiçiqi thotë se ai e bëri sulmin e armatosur “Për ta mbrojtur Marrëveshjen e Brukselit”.

E morëm vesh: “Krejt bota mbështet Lajçakun dhe askush nuk e mbështet Kurtin“. Ky është rezultat i angazhimit prioritar që i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, pati për dy javë që nga dështimi i rundit të fundit në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, pas të cilit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e qortoi se ai nuk është më neutral dhe se po përfill interesat e Serbisë dhe po i injoron ato të Kosovës. Prej Washingtoni e New Yorku, Berlini e Parisi, e deri te takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së çdo ditë i vinte shprehja e mbështetjes Lajçakut. Edhe kur u diskutua për herë të parë për sulmet terroriste, në të cilat u vra një polic i Kosovës, prapë nga ai takim erdhi si porosi e parë se “iu shpreh mbështetje të plotë Lajçakut“. Edhe kur Kosova e rajoni ishin në prag të shpërthimit të luftës, prioritet ishte shprehja e mbështetjes për të dërguarin e BE-së. Kjo mbështetje është e kuptueshme, sepse ai është përfaqësues i tyre. Nuk ka ndodhur kurrë që në ndonjë deklaratë të BE-së të thuhet se “nuk mbështesim përfaqësuesin tonë të posaçëm”.

Por në rregull. E kuptuam se këtë betejë personale të lojalitetit për t’i treguar Kurtit se Lajçaku ka mbështetjen e tërë botës e fitoi Lajçaku. E tash pas kësaj, ka ardhur koha që Lajçaku dhe shefi i tij të reflektojnë shumë, shumë me kujdes se sa i kanë kontribuar ata situatës së krijuar në dialog, e potencialisht edhe në terren. Sepse, nëse lihen anash sulmet personale ndaj Lajçakut, për të cilat Kurti motiv mund të ketë edhe për shkak se e ka mbrojtur shumë kur e kanë sulmuar të tjerët, me seriozitet duhet të analizohen edhe vërejtjet që i ka paraqitur Kosova. Për të parë se dialogu në këto 3 vjet e gjysmë prej kur me të merren Borrelli dhe Lajçaku nuk ka pasur sukses, nuk ka nevojë të krahasojmë rezultatet me pritjet e Kosovës, por me vetë mandatin dhe synimet e tyre dhe pritjet e BE-së dhe SHBA-së.