Vështrime

Gaza si akomodim i kulturës së luftës

Tri arsyet e Gideon Levy për të ndëshkuar fëmijë, gra dhe burra në Gaza mund të jenë universale. Dhe, a është e keqja “një fuqi e vërtetë që sundon botën tonë me anë të tundimeve”?

1.

Ka disa javë, prej sulmit të Hamasit më 7 tetor, një pogromi antihebre e stilit të Evropës Qendrore e Lindore të fillimshekullit XX (me djegie, therje e torturë të çdo fëmije, gruaje e burri, çfarëdo të jetë mosha, vetëm të jetë hebre) që lajmet e mbrëmjes të BBC (CNN e të tjerëve) më janë shndërruar në ankth. Pas pamjeve të gjuetisë ndaj çdo hebreu më 7 tetor dhe numrit të viktimave hebraike të paprecedenta prej luftës së Yom Kippurit më 1973 filluan raportimet për përgjigjen që jepte ushtria izraelite. Përgjigjja ishte ndëshkim kolektiv i Gazës, ndëshkim i çdo fëmije, gruaje e burri palestinez - pa marrë parasysh moshën-për krimin që kishte bërë lëvizja politike-ushtarake Hamas. Ndëshkimi kolektiv u përngjante po ashtu atyre të shekullit XX.