Vështrime

Ende nuk është vonë për unitet rreth dialogut

Është e patolerueshme që liderëve të opozitës së Kosovës, draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe t’ua japin përfaqësuesit e BE-së, e jo qeveria. Siç ishte e palejueshme që kësaj qeverie, kur erdhi në pushtet, shumë dokumente nga procesi i mëparshëm i dialogut u desh t’ia jepte BE-ja, sepse nuk ia dhanë paraardhësit

Për shtetet, sidomos për ato që janë në proces të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe sigurisë së brendshme, ekzistojnë disa çështje ku duhet të ketë unitet të plotë, pa marrë parasysh dallimet politike dhe ideologjike. Ndasitë në faza të tilla të ndjeshme mund të kenë pasoja afatgjate. Në situatë të tillë është Kosova, e cila nuk e ka luksin të ketë ndasi aq të mëdha për çështjet kyçe siç është dialogu me Serbinë, raportet me aleatët kryesorë ndërkombëtarë dhe aspektet e sigurisë kombëtare. Në të gjitha këto tri çështje, Kosova po kalon përsëri nëpër sfida të mëdha. Raportet me aleatët kryesorë ndërkombëtarë nuk janë ideale. Akoma Kosova, për herë të parë në historinë e saj prej shpalljes së pavarësisë, është nën sanksione edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të BE-së edhe të Gjermanisë në aspektin bilateral. Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës, të ushtrojë presion dhe kontroll mbi serbët në Kosovë, e bile edhe ta kërcënojë sigurinë e Kosovës duke mbështetur, nëse jo edhe organizuar, sulmet paramilitare që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i ka quajtur si terroriste. Në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ka ardhur deri te një ecje e madhe prapa. Nën regjinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, duke hequr dorë nga synimi për marrëveshje finale, ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet kyç. Me Lajçakun në krye të procesit, dhe mbështetjen e Përfaqësuesit të lartë Josep Borrell, dialogu ka ardhur në fazën e asaj që tashmë quhet “normalizim i mosnjohjes”. Pa paragjykuar pozitat dhe qëndrimet e tyre në të kaluarën, përvoja vetëm nga procesi trevjeçar i dialogut lë përshtypjen se BE-ja do të vazhdojë të ketë gjithmonë mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë dhe të tentojë t’i akomodojë ato. Ndërsa, t’i konsiderojë si “joreale” kërkesat e Kosovës, qofshin ato për të nënshkruar Marrëveshjen, apo për ta depozituar në OKB, apo diçka tjetër.

Në të gjitha këto pika do të ishte e tepruar, e mbase edhe e pasaktë në masë të madhe, si përgjegjëse të konsiderohej vetëm pala kosovare. Do të ishte mirë sikur opozita në Kosovë, në vend që t’u gëzohet sanksioneve ndaj shtetit të saj që ka vendosur BE-ja, e të cilat nuk e ka ndërmend t’i heqë së shpejti, të jetë më e gatshme të bashkëveprojë me qeverinë, në të mirë të shtetit, dhe në këtë mënyrë të rritet presioni edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.