Vështrime

Një fetva kundër lajmeve të rrejshme

Ulematë e Indonezisë duan të mallkojnë të gjithë ata myslimanë që marrin pjesë në përhapjen e lajmeve të rrejshme. Më në fund një paralajmërim i arsyeshëm. Dhe një leksion edhe për Kosovën.

Nëpër mediat sociale dhe në portale të ndryshme që peshkojnë nëpër botën e moçaleve për të kapur ndonjë lajm bizar, shpesh qarkullojnë video apo njoftime se çfarë ka thënë ky apo ai hoxhë. Citohet një imam që thotë se të vdekurit në sulmet vetëvrasëse i presin 72 virgjëresha në parajsë, në xhenet. Pastaj shfaqet imami tjetër që në një studio televizive diku në vendet e Gjirit Persik paskësh thënë se islami e lejon poligaminë, madje edhe seksin me kafshë të caktuara. Një tjetër hoxhë mbështet gjymtimin e gjenitaleve të vajzave. Tjetri thotë se bota nuk është e rrumbullakët, por e rrafshët si pjatë.