Vështrime

Ahmet Şık

Rasti i gazetarit turk Ahmet Şık, i cili po mbahet në burg, tregon se deri ku ka arritur arbitrariteti i regjimit të Recep Tayyip Erdoğanit

Një dhuratë prej Allahut. Kështu e kishte quajtur kryetari i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përpjekjen për puç në korrik të vitit të kaluar. Dhuratat nga qielli zakonisht janë të mirëseardhura. Për Erdoğanin rebelimi i një pjese të ushtrisë ishte një rast i shumëpritur për të filluar spastrimin final të aparatit të sigurisë. Në Turqi ende vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Rreth 130 mijë zyrtarë të shtetit janë dëbuar nga puna, afro 46 mijë njerëz kanë përfunduar në burgje anekënd Turqisë dhe po dyshohen apo akuzohen si komplotistë.