Vështrime

“Baushtelli” i Evropës

Ndikimi rus në Ballkan duhet ta alarmojë Bashkimin Evropian. Që nga viti 2003, kur u mbajt Samiti i Selanikut, me ç’rast vendeve të Ballkanit iu premtua perspektiva evropiane, e deri më sot, është zhvilluar një garë e rrejshme: BE-ja është bërë sikur është e hapur për vendet e Ballkanit, ndërsa këto janë bërë sikur po i plotësojnë kushtet. Kjo lojë duhet të marrë fund.

Nga udhëtimi i saj i fundit në Ballkan kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u kthye e dëshpëruar në Bruksel. Në Beograd i fishkëllyen nacionalistët e Vojislav Sheshelit, në Shkup ajo nuk u mor seriozisht nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov, nga i cili kërkoi që t’u jepej mandati për krijimin e qeverisë së re socialdemokratëve maqedonas dhe partnerëve të tyre shqiptarë, në Kosovë Mogherini u kërcënua se po qe se nuk miratohet demarkacioni me Malin e Zi nuk do të hiqen vizat e Schengenit për qytetarët kosovarë, por ky apel i saj nuk u mor aq seriozisht në Prishtinë, në Tiranë ish-ministrja e Jashtme italiane u mundua t’ua bëjë të qartë dy partive kryesore politike që t’i lënë anash kërcënimet e ndërsjella, të miratojnë reformën e drejtësisë, të organizojnë zgjedhje të ndershme dhe kështu t’i mundësojnë Shqipërisë të hapë negociatat për anëtarësim në BE. Në Bosnjë Mogherini nuk arriti të shkojë për shkak të motit të keq, por edhe po të shkonte nuk do të arrinte ndonjë sukses, përveç nëse sukses mund të konsiderohet përsëritja e apeleve që dëgjohen dhe harrohen brenda pak minutash.