Vështrime

Presidentin në Mal të Zi e përcaktuan votat e popujve pakicë

Ndikimi i votuesve të pjesëtarëve të popujve pakicë në Mal të Zi (kryesisht boshnjakët dhe shqiptarët), paraqet rast unik në regjion, sepse ata ishin përcaktues me parë në referendumin për pavarësi të Malit të Zi të mbajtur me 21 maj 2006, e po ashtu edhe në zgjedhjet presidenciale te mbajtura me 15 prill 2018, duke u përcaktuar për një politikë integruese që duhet të jetë në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis multinacional, çështje të cilat kërkojnë zgjidhje sipas standardëve europiane e jo të politikës utilitare.

Zgjedhjet e treta presidenciale pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, kësaj radhe u dalluan nga të mëparshmet me numrin e lartë të konkuruesve për postin e presidentit si dhe me kohën e shkurtë të fushatës zgjedhore. Por, ajo qe i ka befasuar qytetarët është e dhëna se opozita ndonëse kishte paralajmërime se do të dalin ne zgjedhje me një kandidat të vetëm, ata nuk patën konsenzus, duke u përcaktuar në momentin e fundit për një kandidat i cili dukej se ishte një zgjidhje e imponuar, gjoja si kandidat jopartiak, por pa ndonjë epitet karizmatik në opinionin e gjerë në Mal të Zi. Nga ana tjetër opozita e vetquajtur qytetare u paraqit me kandidatin e cila ishte përfaqësuese e Partisë Socialdemokratike që u mbështet edhe nga subjekti politik DEMOS-i, duke qenë risi sepse ishte kandidatja e vetme femër deri më tash në zgjedhjet presidenciale.